Deklaratat përmbyllëse në çështjen Thaçi dhe të tjerët nga 10 deri më 14 shtator

Nga D. V.
507 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 6 gusht, Zhurnal.mk – Gjykata Speciale ka bërë të ditur se është caktuar mbajtja e deklaratave përmbyllëse në çështjen kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për më 10, 11 dhe 14 shtator 2026, duke filluar në orën 9:30.

Sipas Aktakuzës, të publikuar nga Gjykata Speciale midis 2 korrikut 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi u dha Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacion konfidencial lidhur me dëshmitarë të Prokurorisë dhe tentoi bashkë me ta, si dhe me persona të tjerë ndaj të cilëve nuk janë ngritur akuza, të ndikojë në dëshmitë e disa dëshmitarëve.

Në aktakuzë gjithashtu pretendohet se Thaçi bëri marrëveshje me Kuçi që ky i fundit të kontaktonte dëshmitarë të Prokurorisë në gjykimin për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, në kundërshtim me urdhrin që ua ndalonte atyre të bënin këtë jashtë kushteve të caktuara.

Kuçi pretendohet gjithashtu se kontaktoi edhe një tjetër dëshmitar të Prokurorisë me nismën e vet.

“Ndaj Hashim Thaçit janë ngritur tri akuza për vepra penale kundër rendit publik (tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare) dhe tetë akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike (shkelje e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës).

Ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut janë ngritur, për secilin, një akuzë për vepra penale kundër rendit publik (tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare) dhe një akuzë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike (mosbindje ndaj gjykatës).

Ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike (mosbindje ndaj gjykatës).

Isni Kilaj u arrestua dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 2 dhe 3 nëntor 2023 dhe u paraqit para Gjykatësit të Vetëm më 4 nëntor 2023.

Më 3 maj 2024,Gjykatësi i Vetëm urdhëroi lirimin e Kilajt në Kosovë me kushte të rrepta, për shkak të vonesave të konsiderueshme të procesit, duke konstatuar se vazhdimi i paraburgimit të tij do të ishte i paarsyeshëm.

Pas konfirmimit të Aktakuzës, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 5 dhe 6 dhjetor 2024. Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit, ndërsa Hajredin Kuçi u thirr për t’u paraqitur në seancën e paraqitjes së parë. Të gjithë të akuzuarit u vetëdeklaruan ‘të pafajshëm’ për akuzat.

Në dhjetor 2025, Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm.

Në shkurt 2026, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan gjithashtu me kusht.

Gjykimi filloi më 27 shkurt 2026. Më 13 mars 2026, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave.

Deri më 30 korrik 2026, të gjitha ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave.

Më 5 gusht 2026, Gjykatësi i Vetëm mbylli procedurën e paraqitjes së provave dhe caktoi datat për dosjet gjyqësore përfundimtare, dosjet e kundërpërgjigjeve, dhe deklaratat përmbyllëse”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër