Dëshmitar i dyshuar pretendon se Presidenti i Serbisë ka qëlluar personalisht mbi civilët e Sarajevës, i gatshëm të dëshmojë në gjykatë italiane (VIDEO)

nga Redaksia

Sarajevë, 02 shkurt – Qytetari boshnjak Aleksandar Liçanin i ka deklaruar gazetarit investigativ kroat Domagoj Margetiq se ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve që ndodhën gjatë luftës së viteve 1992–1995 në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH), lidhur me të ashtuquajturin “Safari i Sarajevës”, nga pozicionet e qitjes mbi civilët e kryeqytetit. Ai pretendon se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, jo vetëm që ka organizuar ardhjen e të huajve për të qëlluar mbi civilët, por edhe se ka qëlluar personalisht mbi ta nga kodrat përreth qytetit, transmeton Zhurnal.mk.

Në një intervistë video të publikuar sot nga gazetari kroat, Liçanin thotë gjithashtu se është i gatshëm të dëshmojë në Gjykatën e Milanos për atë që ka parë lidhur me të shtënat mbi civilët e Sarajevës nga pozicioni i njohur si “Varrezat Hebraike”, përfshirë edhe pretendimet e tij ndaj Vuçiqit.

“Po, pikërisht kështu,” u përgjigj Liçanin pyetjes së Margetiqit nëse ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i asaj që ndodhi nga ‘Varrezat Hebraike’ gjatë luftës dhe për rolin e Slavko Aleksiqit, Vojislav Šešeljit dhe Aleksandar Vuçiqit.

Të tre ishin anëtarë të Partisë Radikale Serbe (SRS), e udhëhequr nga Šešelji gjatë luftës pesëvjeçare në BeH. Aleksiq ishte gjithashtu komandant i forcave serbe në Sarajevë.

“E di që ata sillnin njerëz nga jashtë për ta bërë këtë për interesin e tyre financiar. Ata vranë fëmijë të pafajshëm, civilë, gra dhe të moshuar në Sarajevë,” vazhdoi ai.

“Po, saktësisht. Ka fotografi që tregojnë se ai (Vuçiq) mban një snajper. Dhe historia e tij se ishte një çadër… hajde, mos na bëni qesharake,” tha ai kur u pyet nga Margetiq nëse kishte qenë dëshmitar i Vuçiqit duke qëlluar personalisht mbi civilët.

“Ai (Vuçiq) ka qëlluar gjithashtu dhe askush nuk mund ta mohojë këtë…”, deklaroi Liçanin.

“Jam gati të dëshmoj në çdo gjykatë, para Zotit. Jam në dispozicion… më duhet vetëm të organizohet udhëtimi,” përfundoi ai.

Rreth 10.000 civilë u vranë nga forcat serbe gjatë rrethimit të Sarajevës ndërmjet viteve 1992 dhe 1995. Disa nga vrasjet u kryen edhe nga shtetas evropianë, përfshirë italianë, në këmbim të parave, sipas disa raporteve, gjë që ka nxitur ngritjen e padive të reja në Gjykatën e Milanos vitin e kaluar.

Javën e kaluar, Asambleja e Qytetit të Sarajevës ra dakord t’i bashkohet procedurave penale në Gjykatën e Milanos kundër “Snajperëve” në Sarajevë, që lidhen me çështjen e hapur nga prokuroria e Milanos.

Vendimi i miratuar autorizon Kryetarin e Bashkisë dhe Zyrën e Prokurorit të Qytetit të Sarajevës të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbledhjen e të dhënave dhe dokumentacionit mbi qytetarët e Sarajevës të vrarë nga zjarri i snajperëve gjatë rrethimit të qytetit.

“Është detyrimi ynë moral dhe institucional të qëndrojmë me viktimat dhe familjet e tyre, por edhe me të gjithë qytetarët e Sarajevës që ishin të ekspozuar ndaj terrorit të snajperëve gjatë rrethimit. Ata që janë përgjegjës për krimet e kryera duhet të emërohen dhe të ndiqen penalisht,” tha kryetari i bashkisë Samir Avdiq.

Prokuroria e Milanos hapi procedurat penale në fillim të nëntorit 2025 pas një hetimi dhe padie ligjore të paraqitur nga shkrimtari italian Ezio Gavazzeni.

Gazetari investigativ kroat Domagoj Margetiq më pas paraqiti padi kundër Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke pretenduar përfshirjen e tij në organizimin e udhëtimeve të të huajve nga Beogradi drejt kodrave të Sarajevës për të vrarë civilë të qytetit.

Deri më tani, ai ka bërë publike dy dokumente përmes llogarive të tij në Facebook, të cilat pretendohet se janë nënshkruar nga kreu i njësisë së forcave serbe, Slavko Aleksiq. Në to thuhet se Vuçiqit i është lejuar kalim i lirë, së bashku me të huaj nga Beogradi, drejt zonës së kodrave të Sarajevës, në lokacionin “Varrezat Hebraike”, si dhe se ai ka marrë para nga një shtetas italian dhe ia ka dorëzuar ato Aleksiqit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More