Dëshmitarët thonë se përfaqësuesit e institucioneve ishin paralajmëruar për dhunën ndaj Ivanës dhe Katjas

Nga D. V.
406 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 Prill, Zhurnal.mk – Dëshmitarët thanë në procesin gjyqësor se Ministria e Brendshme dhe Qendra për Çështje Sociale ishin në dijeni për dhunën që bëhej nga Stojançe Jovanoski ndaj viktimave.
Paralajmërimet, sipas dëshmitarëve të thirrur në seancë, i kishin bërë anëtarë të familjes si dhe fqinjët.

Në seancën e sotme në Gjykatën Penale të Shkupit kundër Stojançe Jovanovskit, dëshmitarët paraqitën detaje rreth dhunës në familje që kanë pësuar viktima Ivana Jovanovska dhe vajza e saj Katja, lajmërojnë media maqedonase nga gjykimi.

Mësuesja e Katjas nga “Johann Heinrich Pestalozzi” dëshmoi se shkolla u informua nga gjyshja e vajzës për dhunën në familje nga babai, gjë që iu raportua edhe psikologut të shkollës dhe u monitorua sjellja e fëmijës. Ditën e tragjedisë, në vend të gjyshes, erdhi Ivana për të marrë fëmijën.

Fqinjët thanë se grindjet dhe të bërtiturat dëgjoheshin nga apartamenti për një kohë të gjatë, dhe një fqinje tha se e kishte raportuar në polici, por në vend të një reagimi, kishte marrë një kërcënim për kallëzim të rremë. Fëmija, sipas deklaratave, po trokiste në dyer duke kërkuar ndihmë.

Në sallën e gjyqit u theksua se si Ministria e Brendshme ashtu edhe Qendra për Çështje Sociale ishin në dijeni të rastit, por nuk iu përgjigjën thirrjeve të nënës për ndihmë.
Vëllai i Ivanës, Aleksandar Stojanovski, dëshmoi gjithashtu, duke sqaruar të gjitha dilemat rreth trashëgimisë pas vdekjes së babait të tyre.

Dje, Martin Sazdov dëshmoi për momentet e fundit të jetës së Ivanës dhe Katjas, duke thënë se ai dhe Stojançe ishin ulur përpara ndërtesës kur Ivana telefonoi me kamerën e ndezur pak momente para kërcimit të saj fatal drejt vdekjes.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër