Shkup, 26 shtator Zhurnal.mk – Çdo ditë, pacientë të shumtë presin një telefonatë që mund t’ua ndryshojë jetën. Kur një familje përballet me një rast të rëndë, në vend të dhimbjes mund të lindë edhe një vendim që u jep shpresë të tjerëve, vendimi për të dhuruar organe. Por si e shohin këtë mundësi qytetarët? A do të pranonin të dhuronin organet e tyre?
“Një jetë e kemi të gjithë. Edhe tjetrit duhet t’ia japim vlerën pra duhet të ndihmojmë njëri tjetrin.”, u shpreh një qytetar.
“Absolutisht po, një jetë e kemi të gjithë dhe jeta duhet të vazhdojë. Një jetë e shpëtuar, e kujtdo qoftë ajo, është humane dhe shumë njerëzore.”, tha një qytetar.
Për një pacient që pret transplant, një organ i dhuruar nuk është vetëm një procedurë, është një mundësi për të vazhduar jetën.
“Dhuruesi që veçmë është i vdekur klinikisht, organi i tij do të zgjasë, një jetë do shpëtohet, disa jetë në fakt se nuk dhurohet vetëm një organ. Zemra, mëlçia.. të gjitha organet mund të transplantohen, përveç trurit.”, u shpreh mjeku Sedat Lumani.
Përtej mjekësisë dhe ligjit, dhurimi i organeve ngre edhe pyetje morale dhe fetare. Në Kuran gjendet parimi i njohur: Kush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar të gjithë njerëzimin. Dijetarët e përdorin këtë parim në diskutimet bashkëkohore mbi transplantimin.
“Njeriu jep diçka nga vetja e tij për të shpëtuar jetën e tjetrit dhe kjo përfshihet në ajetin Kuranor ku Zoti thotë: “Ata besimtarë që janë të sinqertë, u japin përparësi të tjerëve kur vetë janë të nevojshëm.” Pra kur shohim që jemi të nevojshëm me diçka që ne nuk na dëmton e atij i shpëton jetën, kjo është forma më e lartë e altruizmit.”, u shpreh Mafiz Rustemi, anëtar i komisionit për përpilimin e ligjit.
Nga Ministria e Shëndetësisë po përgatiten ndryshimet ligjore për transplantimin e organeve. Bashkësia fetare islame, së bashku me bashkësitë e tjera fetare në vend, janë pjesë e konsultimeve për këto ndryshime ligjore. Sepse dhurimi i organeve, sidomos pas vdekjes, ka dimension më të gjerë sesa thjesht mjekësor. Përfaqësuesit fetarë mund të ndihmojnë që qytetarëve t’u jepen sqarime të besueshme edhe nga aspekti fetar, krahas shpjegimit mjekësor dhe ligjor. Në vend dhurimi nga të gjallë dhe nga donatorë të vdekur vazhdon të jetë shumë i kufizuar në raport me nevojat. Vitet e fundit, vendi ka realizuar transplante të zemrës, mëlçisë dhe veshkave, por lista e pacientëve që presin mbetet e gjatë. Në listën e pritjes për transplantim sipas organeve aktualisht janë:
Sa i përket numrit të pacientëve që kanë pritur në vitet e kaluara, nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se lista ndryshon në baza ditore dhe nuk është fikse. Herë pas here në listë shtohen disa pacientë, ndërsa në ditë të tjera disa hiqen për arsye mjekësore. Për këtë arsye, nuk përgatitet një pasqyrë vjetore e numrit të pacientëve në pritje. Nga viti 2020 seri më sot, janë regjistruar gjithsej 45 donatorë të procesuar me vdekje cerebrale, 27 donatorë të realizuar me pëlqim dhe 140 organe/inde të transplantuara sipas kategorive të paraqitura.
Gjithsej 45 donatorë të procesuar me vdekje cerebrale, 27 dhurime të realizuar me pëlqim dhe 140 organe/inde të transplantuara sipas kategorive të paraqitura. Por duke lexuar përtej këtyre të dhënave është mirë të kuptojmë se pas çdo shifre qëndron një njeri që pret një telefonatë, një organ, një mundësi për të jetuar. Për dikë, dhurimi i një organi është një vendim i dhimbshëm, por për dikë tjetër mund të jetë fillimi i një jete të re. Prandaj, ndoshta pyetja nuk është vetëm nëse jemi gati të dhurojmë, por nëse jemi gati të flasim sot për një vendim që nesër mund t’i shpëtojë jetën dikujt.
