Dikur “bahçe” e Jugosllavisë, tani djerrinë – Maqedonia e Veriut ka probleme serioze në bujqësi!

nga Redaksia

Shkup, 21 maj – Bujqësia në Maqedoninë e Veriut po përballet me probleme të shumta, ndërsa në të ardhmen do të ketë probleme edhe më të mëdha nëse nuk merren hapa urgjent në rregullimin e këtij sektori. Nëse Maqedonia e Veriut, dikur ishte “bahçe” e gjithë Europës juglindore dhe Jugollavisë, sot ka mbetur vendi më i prapambetur në bujqësi, shkruan “Zhurnal.mk”.

Çmimet në dyqane tepër të shtrenjta, bujqit ankohen për çmime të lira!

Nëse pyetni bujqit, ata menjëherë do t’iu ankohen se çmimet e blerjes së produkteve të tyre janë shumë të lira dhe se nuk kanë llogari të prodhojnë. Por, kur të shkosh në raftet e dyqaneve, çmimet janë astronomike. Një dukuri që është absurde për ta kuptuar!

Kjo ndodh për shkak procedurat ligjore në Maqedoninë e Veriut janë bërë të atilla që më shumë fiton tregtari se prodhuesi. Nëse një prodhues i një produkti bujqësor dëshiron ta shesë një prodhim të tij në një nga marketet e vendit, ai nuk mund ta shesë direkt, sepse nuk është një bujk i regjistruar. Kompani të posaçme që merren me tregtinë e pemëve dhe perimeve, i blejnë me para në dorë, me çmim shumë të lirë këto prodhime nga bujqit, dhe pastaj ua shesin marketeve të mëdha me faturë këto produkte me çmime shumë më të shtrenjta. Kjo ndodh sepse ky tregtar duhet të paguajë tatim, mirëmbajtje të firmës, punëtorët, dhe shpenzime të tjera. Në të njëjtën mënyrë edhe marketi, pasi e faturon mallin, i kalkulon shpenzimet e tij, dhe çmimi në fund trefishohet. Në këtë mënyrë, nga një produkt që prodhuesi e shet me 15 denarë, në treg ai produkt do të shitet me 40-50 denarë.

Bujqit tregojnë se aktualisht, çmimi i blerjes së lakrës, lakrës së re pranverore, është 15 denarë në fushën tonë, ndërsa çmimi i kastravecave varion nga 15 deri në 20 denarë. Por, në dyqane këto produkte shiten nga 60-70 denarë!

Çmimet që i kanë vendor prodhuesit nuk i plotësojnë as çmimet e prodhimit, prandaj bujqit me të drejtë ankohen, por edhe qytetarët me të drejtë ankohen se blejnë produkte shumë të shtrenjta. Në fund, problemi qëndron në faktin se tregtarët me marzhat e tyre, fitojnë trefish më shumë se prodhuesit!

Probleme dhe manipulim me subvencionet

Në 17 vjet kemi shpenzuar 1.5 miliardë euro për subvencione për të rritur prodhimin vendas të ushqimit. Por prodhimi ka rënë me kalimin e viteve. Vetëm vitin e kaluar, importet e ushqimeve kushtuan mbi 1 miliard euro. Të rinjtë nuk duan të punojnë në bujqësi. Ky është problemi më i madh. Gjithnjë e më shumë njerëz po largohen, ndërsa shteti shumë pak merret me fermerët.

Fatkeqësisht në të kaluarën subvencionet nuk janë ndarë ashtu siç duhet, por është munduar maksimalisht të manipulohen. Më parë nuk janë ndarë subvencionet se një bujk sa prodhimtari ka pasur, por sa hektarë tokë ka pasur. Në këtë mënyrë shumë funksionarë shtetëror zaptuan tokën e shtetit dhe merrnin subvencione pa e punuar atë. Këtu u vodhën miliona euro dhe askush nuk dha llogari.

Me ndryshimet e fundit subvencionet jepen për sasinë e produktit, ose për kokë të kafshëve, por procedurat ligjore janë aq shumë të komplikuara sa që shumë njerëz tërhiqen nga subvencionet. Gjithashtu subvencionet nuk paguhen me kohë, dhe kjo bën që bujqit mos të mund t’i zhvillojnë siç duhet planifikimet e tyre.

Shteti duhet ta dijë se nëse një fermer ka vendosur që me paratë e subvencioneve të blejë ushqim për kafshët, ato para i duhen në vjeshtë, e jo pasi të kalojë sezona. Prandaj, shumë bujq vendosin të tërhiqen sepse s’ka seriozitet nga shteti, i cili ua jep subvencionet bujqive në prag të zgjedhjeve për të fituar pikë politike, shkruan “Zhurnal.mk”.

Ndryshimet klimatike, problem në bujqësi

Problem mjaft i madh me të cilën ballafaqohen bujqit janë edhe ndryshimet klimatike. Më herët janë ditur kohët se kur duhet të mbillet e kur duhet të korret, por tani ndodh që në mes të prillit të bie borë, ose ngjashëm si në ditët e kaluara, kur në mes të muajit Maj temperature të bie në 9 gradë. Ose, edhe më e keqja, që thuajse çdo vit kemi reshje të breshërit në sezonin e vjeljes së produkteve. Kjo shkakton dëme të mëdha dhe pikërisht në këtë mënyrë po dëmtohen frutat, perimet dhe çdo prodhim tjetër.

Ky edhe pse është një problem global, qeveria duhet ta marrë shumë seriozisht në konsideratë këtë problematikë. Duhet në të ardhmen që të ndërtohen më shumë sera për prodhim të brendshëm, ose të vendosen rrjeta mbrojtëse ndaj produkteve dhe gjatë ditëve të ftohta të vendosen mbështjellës special që janë për ruajtjen e pemëve. Por këto pajisje janë të shtrenja, prandaj shteti në këtë mënyrë duhet t’i mbështesë bujqit dhe t’ua lejojë atyre që më lehtë t’i blejnë këto pajisje. Gjithashtu duhet të vendoset një politikë e sigurimit të produkteve në kompnai sigurimi, por edhe kjo duhet të mbështetet nga qeveria.

BE-ja e ndan 30 % të buxhetit vetëm për bujqësi

Politika e Përbashkët Bujqësore (CAP) e Bashkimit Evropian për subvencionet bujqësore vlen rreth 387 miliardë euro, rreth një e treta e buxhetit të përgjithshëm të bllokut për vitet 2021-2027. Vendet e BE-së po përgatiten për negociata të vështira më vonë këtë vit mbi buxhetin e tyre të ardhshëm për periudhën pas vitit 2027.
Një projekt-propozim politikash i BE-së për të trajtuar presionin intensiv mbi furnizimin me ujë të Evropës nga industria dhe ndryshimet klimatike thotë se Politika e ardhshme e Përbashkët e Bujqësisë dhe Politikës së Përbashkët (PPB) do të përfshijë “paketa të reja tranzicioni” me këshilla dhe fonde për fermerët për të përmirësuar menaxhimin e ujit.

Subvencionet mund t’i ndihmojnë fermerët të paguajnë për kultura rezistente ndaj thatësirës ose për mjete precize ujitjeje që përdorin më pak ujë sesa sistemet tradicionale të ujitjes. Bujqësia është një nga sektorët më të prekur nga ndryshimet klimatike. Fermerët evropianë po vuajnë tashmë nga thatësira dhe përmbytjet në rritje, të cilat kanë shkatërruar rendimentet e fundit të drithërave dhe frutave. Megjithatë, në të njëjtën kohë, BE-ja ka lehtësuar masat e tjera mjedisore për bujqësinë, në përgjigje të presionit të fortë politik nga protestat e fermerëve kundër rregullave të BE-së që ata thonë se janë shumë të rënda, shkruan “Zhurnal.mk”.

Bie vlera totale shit-blerjes së produkteve bujqësore

Vlera totale e blerjes dhe shitjes së produkteve bujqësore në Maqedoninë e Veriut në tremujorin e parë të vitit 2025 arriti në 5.7 miliardë denarë, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikës. Kjo përfaqëson një rënie dramatike krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u realizuan 9.9 miliardë denarë — ose pothuajse 4.2 miliardë denarë më shumë.

Rënia më e ndjeshme u regjistrua në blerjen e produkteve bujqësore nga prodhuesit individualë, ku vlera u ul me deri në 50.6% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024. Vitin e kaluar, blerjet nga fermerët individualë panë një rritje të madhe prej 495.2%, gjë që e bën situatën e këtij viti edhe më shqetësuese.

Nga ana tjetër, shitjet e produkteve bujqësore nga prodhimi vetanak në tremujorin e parë të vitit 2025 shënuan një rritje prej 6.4%, që është një kthesë në krahasim me vitin 2024, kur u regjistrua një rënie prej 13.2%.

Këto shifra tregojnë luhatje serioze në tregtinë e produkteve bujqësore. Rënia e blerjeve mund të lidhet me faktorë të shumtë – nga ndryshimet në politikat e subvencioneve, te rritja e kostove të prodhimit, te një rënie e mundshme e kërkesës ose mosbesimi midis prodhuesve dhe blerësve.

Nëse tendenca të tilla vazhdojnë, nevojiten analiza serioze dhe ndërhyrje të shpejta nga institucionet kompetente me qëllim stabilizimin e sektorit bujqësor dhe mbrojtjen e interesave të prodhuesve vendas, shkruan “Zhurnal.mk”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More