Dikur një nga plazhet më të bukura në Prespë sot i braktisur, banorët pastrojnë vetë Stenjen

Nga Xh M
628 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prespë, 10 gusht Zhurnal.mk – Plazhi në Stenje dikur konsiderohej një nga vendet më të bukura dhe më të frekuentuara të Liqenit të Prespës. Në vitin 2015, ai u rregullua me rërë dhe përmbajtje shtesë, pas së cilës tërhoqi një numër të madh turistësh vendas dhe të huaj. Sot, pamja që përshkruajnë banorët është krejtësisht ndryshe.

Sipas reagimeve të banorëve të Stenjes, plazhi është lënë pas dore, shëtitorja është mbuluar nga bimësia, ndërsa një pjesë të hapësirës është dashur ta pastrojnë vetë banorët, në mënyrë që vizitorët të mund të kenë qasje normale deri te uji dhe të lahen.

Problem i veçantë, sipas tyre, është gjendja gjatë natës. Ndriçimi publik nuk funksionon siç duhet, ndaj pjesë të plazhit dhe shëtitores mbeten në errësirë të plotë.

“Njerëzit paguajnë për ndriçimin publik, ndërsa natën është terr. Duan turistë, ndërsa nuk kanë investuar asnjë denar”, thonë banorët lokalë.

Kontrasti është edhe më i madh nëse kujtojmë se Stenja, rreth një dekadë më parë, promovohej si një plazh modern i rregulluar, me përmbajtje hotelierike dhe hapësira për pushim dhe rekreacion.

Sot, në vend të përmbajtjeve të reja dhe investimeve që do të tërhiqnin turistë, banorët kërkojnë së paku mirëmbajtjen bazë – plazh të pastër, shëtitore të kalueshme dhe ndriçim funksional.

Dhe pikërisht Stenja është një shembull se sa shpejt një destinacion turistik mund ta humbasë shkëlqimin e dikurshëm nëse infrastruktura nuk mirëmbahet dhe nuk investohet në të në mënyrë të vazhdueshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër