Dimitrieska: Disiplina fiskale dhe reformat strukturore janë thelbësore për rritje të qëndrueshme ekonomike

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 tetor, Zhurnal.mk – Disiplina fiskale, menaxhimi efikas i shpenzimeve publike dhe përshpejtimi i reformave strukturore janë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe sigurimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike në kushtet e pasigurisë së madhe globale.Ekonomia globale vazhdon të tregojë qëndrueshmëri ndaj goditjeve, por goditjet e përsëritura ekonomike po pakësojnë rezervat e disponueshme fiskale dhe energjetike, ndërkohë që presionet inflacioniste vijojnë më tej të jenë sfidë për një numër të madh vendesh. Në kushte të tilla, ndjekja e kujdesshme e politikave makroekonomike ka rëndësi thelbësore për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të inflacionit.

Këto ishin mesazhet kryesore të seancës plenare të takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore, në të cilat mori pjesë ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Në seancën plenare përmbyllëse të takimeve vjetore në Bangkok mbajti fjalim edhe drejtoresha e përgjithshme e FMN-së, Kristalina Georgieva, kryetari i Grupit të Bankës Botërore, Axhaj Banga dhe kryetari i takimeve vjetore dhe guvernator i Bankës Qendrore të Paraguait, Karlos Karvalo Spalding.

“Në kushtet e pasigurisë globale dhe goditjeve të përsëritura ekonomike, menaxhimi i përgjegjshëm i financave publike është baza për ekonomi stabile. Fokusi ynë është konsolidimi fiskal, shfrytëzimi më efikas i mjeteve publike dhe zbatimi i reformave strukturore që do të rrisin produktivitetin, do të stimulojnë investimet dhe do të përforcojnë konkurrencën e ekonomisë vendase. Qëllimi ynë është të sigurojmë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe perspektiva më të mira për qytetarët dhe kompanitë”, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Në kuadër të takimeve vjetore, të cilat u mbajtën javën e kaluar në Bangkok, ministrja Dimitrieska-Koçoska zhvilloi takime me nënkryetaren rajonale të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonela Basani, nënkryetarin e IFC-së për Evropën, Amerikën Latine dhe Karaibet, Alfonso Garcia Mora, si dhe drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore për grupin e vendeve anëtare ku bën pjesë edhe vendi ynë, Juxhin Rugenat. Gjatë takimeve u theksua rëndësia e përshpejtimit të reformave, realizimit të investimeve strategjike dhe mbështetjes së sektorit privat, si një nga nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike.

Ministrja po ashtu pati takim me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Li, drejtorin e FMN-së për Evropën, Mateush Shçurek, drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Jerun Klik dhe zëvendësdrejtorin ekzekutiv të FMN-së, Marniks van Raj. Në fokus të takimeve ishte konsolidimi fiskal afatmesëm, ruajtja e disiplinës fiskale dhe zbatimi i reformave për të përforcuar qëndrueshmërinë e financave publike, duke mbështetur njëkohësisht investimet dhe rritjen ekonomike.

Pjesëmarrja në takimet vjetore mundëson shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave me përfaqësuesit e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe politikëbërësve ekonomikë, si dhe vlerësimin e trendeve ekonomike globale dhe ndikimin e tyre në ekonomitë nacionale.

Mesazhet e përcjella nga takimet  konfirmojnë rëndësinë e politikave ekonomike të qëndrueshme dhe të përgjegjshme, financave publike të qëndrueshme dhe reformave të vazhdueshme si bazë për stabilitet afatgjatë, konkurrueshmëri dhe rritje ekonomike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër