Dispozita e ligjit për shtetësinë, Sveçla: Ka qenë pjesë e legjislacionit që nga viti 2008

Nga D. V.
525 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 02 qershor, Zhurnal.mk – Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se dispozita e Ligjit për Shtetësinë e Republikës së Kosovës, e cila ka nxitur reagime ditëve të fundit, nuk është e re dhe buron nga Kushtetuta e Kosovës dhe Pakoja e Ahtisaarit, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, Sveçla tha se opozita po kritikon një dispozitë që vetë e kishte bartur në dispozitat themelore të Kushtetutës në vitin 2012.

“Ditëve të fundit janë bërë deklarime të shumta lidhur me Ligjin për Shtetësinë e Republikës së Kosovës. Për shkak të interesimit publik, është e rëndësishme të sqarohen disa fakte themelore, posaçërisht lidhur me nenin 31 të këtij ligji. Së pari, neni 31 i Ligjit për Shtetësinë e vitit 2026 nuk është një dispozitë e re. Ky nen është pjesë e dispozitave themelore kushtetuese të Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 155 që derivon nga Pakoja e Ahtisaarit. Kjo e drejtë nuk është krijuar apo njohur nga kjo qeveri dhe nuk është futur për herë të parë me ligjin e ri, ashtu siç eksponentët e opozitës po e proklamojnë”, tha ai.

Sveçla theksoi se kjo dispozitë ka qenë pjesë e legjislacionit që nga viti 2008.

“Kjo e drejtë, e cila parasheh se Republika e Kosovës ua njeh të drejtën e shtetësisë së Republikës së Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe shtetësia që posedojnë, të gjithë qytetarëve që ishin Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës më 1 janar vitit 1998, si dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë buron nga propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës i njohur si Pakoja e Ahtisaarit, të cilën, siç të gjithë e dini, ne e kemi kundërshtuar në mënyrë fundamentale. Më pas, e njëjta është përfshirë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ka qenë pjesë e pandryshuar e legjislacionit tonë për shtetësinë që nga viti 2008”, tha ai.

Ai akuzoi qeveritë e kaluara për bartjen e kësaj dispozite në pjesën themelore të Kushtetutës.

“Ndërsa në vitin 2012, në vend që kjo dispozitë të hiqej nga Kushtetuta dhe të kishte të njëjtin fat si dispozitat e tjera kalimtare, opozita e tanishme, e cila ishte në pushtet në atë kohë, përmes ndryshimeve kushtetuese vendosi ta bartë këtë dispozitë te dispozitat themelore të Kushtetutës me qëllim që ta bëjë pjesë të përhershme të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Pra në thelb, ajo që opozita sot po e kritikon, e ka burimin pikërisht këtu. Çka nënkupton se ata ose nuk kanë qenë fare të vetëdijshëm për atë që kanë bërë dhe votuar, ose kanë pasur pikërisht qëllimin për të cilin po na akuzojnë ne sot”, tha ai.

Drejtori i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Qëndrim Bytyqi, tha se formulimi i nenit aktual është i njëjtë me atë të Kushtetutës.

“Këtu në këtë prezantim i kemi vendosur në katër kolona, fillimisht Kushtetutën, nenin 155, i cili e parasheh këtë të drejtë që nga viti 2008. Pastaj ligjin e vitit 2013 për shtetësi, ligji 04/L-215 që ka qenë në fuqi deri më 22 maj 2026, edhe ligjin e parë për shtetësi pas miratimit të Kushtetutës, që është miratuar në vitin 2008. Ky është neni i njëjtë që është në të katër aktet. Aktualisht është neni 31, në ligjin paraprak ka qenë neni 32”, tha ai.

Bytyqi tha se ligji i ri nuk e konsideron automatikisht shtetas çdo person, por njeh të drejtën për shtetësi sipas kritereve.

“Nëse e shohim formulimin e ligjit, nenin 31 të ligjit aktual: “Republika e Kosovës ua njeh të drejtën e shtetësisë së Republikës së Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tanishëm, dhe shtetësia që kanë, gjithë qytetarëve të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës më 1 janar 1998, dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë.” Formulimi i njëjtë, po besoj mundeni me e parë, është copy prej dispozitës së Kushtetutës, neni 155, paragrafi 2 të Kushtetutës. Një formulim i ngjashëm, në materie të njëjtë por me disa formulime pak më ndryshe ka qenë në vitin 2013 edhe 2008, ku këtu besoj mundeni me parë dallimin kryesor, që tek ligji i vitit 2013 dhe 2008 është përdor termi “konsiderohen shtetas të Republikës së Kosovës”, njësoj mundeni me parë edhe te ligji i vitit 2008 “konsiderohen shtetas të Republikës së Kosovës””, tha ai.

Ai shtoi se ligji i ri është harmonizuar me formulimin kushtetues.

“Pra ligji, për dallim prej Kushtetutës, për shkak që Kushtetuta e ka njohur të drejtën, e njohja e të drejtës nënkupton që duhet të plotësohen kushtet se si një person mundet me arrit deri te fitimi i shtetësisë, ndërsa ligji i vitit 2013 dhe 2008 kanë shkuar përtej Kushtetutës për shkak që kanë konsideruar shtetas të Republikës gjithë këta persona. Në ligjin e vitit 2026 që tash ka hyrë në fuqi, e shihni këtu që është formulimi i njëjtë sikur në Kushtetutë, që domethënë ligji ua njeh të drejtën e shtetësisë, por që duhet të plotësohen kriteret”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër