Dita e dytë e fushatës: Partitë zbarkojnë në qytetet e Kosovës me tubime të shumta

Nga D. V.
716 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 29 maj, Zhurnal.mk – Në kuadër të ditës së dytë të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, subjektet politike po vazhdojnë aktivitetet e tyre me tubime në komuna të ndryshme të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje pritet të mbajë tubim në Istog në ora 17:00, ndërsa në Pejë në ora 19:30.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të zhvillojë disa tubime gjatë ditës, në Kaçanik dhe Han të Elezit në ora 17:00, në Shtime në ora 18:00, në Fushë Kosovë në ora 19:30 dhe në Prishtinë në ora 20:30. Në hapjen e fushatës në sallën “1 Tetori”, kandidati për kryeministër nga kjo parti, Lumir Abdixhiku, theksoi unitetin e partisë dhe gatishmërinë për sfidat politike, duke kritikuar qeverinë aktuale dhe mënyrën e shpërndarjes së mbështetjes financiare për qytetarët.

Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë tubime në Gjakovë në ora 18:00 dhe në Pejë në ora 19:30. Kryetari dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, gjatë hapjes së fushatës prezantoi programin e tij, duke premtuar ulje të çmimeve, rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe investime në ekonomi, energji dhe shëndetësi. Në këtë tubim mori pjesë edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbajë tubim në Rahovec në ora 20:00. Në hapjen e fushatës në Gjakovë, Ramush Haradinaj vlerësoi kandidatin për kryeministër, Ardian Gjinin, si një nga figurat më të përgatitura për udhëheqje, duke theksuar nevojën për bashkëpunim në tejkalimin e sfidave të vendit.

Fushata zgjedhore do të zgjasë gjithsej 10 ditë e shtatë orë dhe pritet të përfundojë më 7 qershor në ora 06:59.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër