Tiranë, 01 korrik, Zhurnal.mk – Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi sot aktivitetin “Dita e Hapur” mbi procesin e aplikimit për vizë, me pjesëmarrjen e mbi 50 agjencive turistike, agjencive të punësimit, përfaqësuesve të institucioneve dhe grupeve të interesit të lidhura me procesin e aplikimeve për vizë.
Takimi u drejtua nga zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Premti, së bashku me zëvendësministren e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, dhe drejtorin e përgjithshëm të AKPA-së, Klevis Hysa.
Gjatë aktivitetit u vu theksi te transparenca, bashkëpunimi institucional dhe dëgjimi aktiv i grupeve të interesit, me synimin për përmirësimin e politikave dhe shërbimeve që lidhen me procesin e vizave.
Në fjalën e saj, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Premti theksoi se kjo është pika e nisjes së një dialogu të hapur, transparent dhe të vazhdueshëm me partnerët, duke shprehur angazhimin që “Dita e Hapur” të shndërrohet në një praktikë të konsoliduar dhe një urë të qëndrueshme komunikimi ndërmjet institucioneve dhe grupeve të interesit.
“Ky aktivitet është pjesë e angazhimeve institucionale, por njëkohësisht lidhet edhe me një prioritet më të gjerë të Qeverisë Shqiptare: ta bëjmë Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më tërheqës, të sigurt për turizmin, investimet dhe punësimin, duke ofruar shërbime publike moderne, transparente dhe tërësisht digjitale”, tha ajo.
“Zhvillimi i turizmit gjatë gjithë vitit dhe mbështetja e bizneseve që krijojnë vende pune janë pjesë e këtij vizioni dhe kur institucionet dëgjojnë dhe bashkëpunojnë, ndërtohen zgjidhje më të mira për qytetarët, biznesin dhe zhvillimin e vendit”, theksoi Premti.
