Tiranë, 01 korrik, Zhurnal.mk – Pas përfundimit të misionit faktmbledhës në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, eurodeputetja Tineke Strik, negociatore e Grupit të të Gjelbërve për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, i bëri thirrje autoriteteve shqiptare të zbatojnë standardet e Bashkimit Europian për ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe të intensifikojnë luftën kundër korrupsionit.
Në një konferencë për mediet, Strik theksoi se legjislacioni dhe standardet europiane duhet të respektohen, pavarësisht statusit të pronësisë së tokës.
“Edhe toka private duhet t’i nënshtrohet standardeve europiane”, u shpreh ajo.
Eurodeputetja vlerësoi punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për hetimet.
“Jemi të kënaqur me SPAK-un që është në gjendje të bëjë detyrën dhe gjithkush duhet të bashkëpunojë me ta. Politikanët nuk duhet të mbështeten apo mbrohen përballë çdo hetimi, pasi drejtësia duhet të realizohet për të pastruar shtëpinë tuaj”, deklaroi Strik.
Ajo ritheksoi mbështetjen për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke nënvizuar se synimi i saj është të ndihmojë vendin në përmbushjen e standardeve të kërkuara për anëtarësim.
“Do ta mbështes rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe nuk dua të kthehem në një faktor bllokues”, tha eurodeputetja Tineke Strik.
