Shkup, 28 mars, Zhurnal.mk – Drejtori i Drejtoria e Doganave e Maqedonisë së Veriut, Boban Nikollovski, publikoi sot një video ku tregohet vendi në autobus ku ishin fshehur fishekët e zbuluar gjatë një kontrolli në pikën kufitare Tabanoc.
Sipas njoftimit të Doganës, bëhet fjalë për rreth 600 fishekë të gjetur në një autobus të kompanisë “Durmo Tours”, i cili qarkullonte në linjën Itali–Maqedoni.
“Inspektorët mobilë të doganës kanë vërejtur dëmtime në pjesën e jashtme të ventilimit të autobusit. Pas kontrollit, në hapësirën e brendshme të ventilimit, mes rreth 50 paketimeve me kafe, është gjetur një kuti me gjithsej 580 fishekë, shumica e kalibrit 9 milimetra”, thuhet në njoftim.
Pas zbulimit, autobusi është ndaluar menjëherë dhe municioni është konfiskuar nga autoritetet kompetente. Lidhur me rastin, deri më tani janë arrestuar dy persona.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur hetimet për rastin dhe nuk përjashton mundësinë që ato të zgjerohen edhe ndaj personave të tjerë të përfshirë.
Autoritetet njoftojnë se hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e gjithë rrjetit të mundshëm që qëndron pas kontrabandës së municionit.
