Shkup, 18 nëntor Zhurnal.mk – Vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut kanë ardhur 805 persona nga India, 552 nga Bangladeshi dhe 430 nga Nepali. Nga Filipinet në vend kanë ardhur 60 persona. Këto janë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), që përfshijnë qytetarët e shpërngulur në vend, të huajt me qëndrim të përkohshëm dhe ata me qëndrim të vazhduar.
Sipas të dhënave, nga Azia në Maqedoninë e Veriut janë shpërngulur gjithsej 6.132 persona. Nga Evropa kanë ardhur 2.611 persona, ndërsa nga Afrika janë shpërngulur 77 persona.
Maqedonia e Veriut po “importon” fuqi punëtore nga vendet e varfra aziatike. Punëtorë nga India, Nepali dhe Bangladeshi janë angazhuar në industrinë e tekstilit, ndërtimtari, hotelieri dhe sektorë të tjerë industrialë në vend.
Edhe në hotelet e Ohrit ka punonjës nga këto shtete.
“Edhe pse nuk janë në numër të madh, në qytet ka punëtorë nga Azia. Në hotelet e Ohrit ka punonjës nga Bangladeshi, Nepali dhe Filipinet. Ata kryesisht angazhohen si personel ndihmës, për pastrim, ndërsa më rrallë punojnë si kamerierë apo banakierë”, thonë nga një hotel në Ohër.
Maqedonia e Veriut, megjithatë, po shndërrohet në një destinacion të pranueshëm pune për punëtorët aziatikë.
“Pjesa më e madhe e tyre punojnë në ndërtimtari, në repartet prodhuese, në fabrika, në linjat e prodhimit, si dhe në hotelieri, si kuzhinierë, ndihmës kuzhinierë dhe pastruese dhomash. Këto janë profile që na mungojnë. Megjithatë, rreth 90 për qind janë të angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë. Shumica janë burra, por ka edhe gra, të cilat kryesisht punojnë në hotelieri. Ata kanë përvojë dhe kanë punuar edhe më parë jashtë vendit. Janë të moshës nga 20 deri në 40 vjeç. Ka pasur edhe disa raste kur janë shpërngulur së bashku me familjet e tyre. Punojnë gjithandej, nuk ka rregull të caktuar, por pjesa më e madhe janë në Shkup. Ka edhe në Radovish, Gjevgjeli, Shtip dhe Vinicë”, thonë nga agjencia “Posrednik24” në Shkup.
Ndërkohë, nga Turqia në vend janë shpërngulur 4.059 persona. Gjatë vitit të kaluar nga Pakistani kanë ardhur 18 persona, nga Kina 34, nga Indonezia 16, nga Siria 29 dhe nga Tajlanda 22 persona.
Nga Brazili kanë ardhur 30 persona, nga Meksika dhe Peruja nga 10 persona, ndërsa nga Egjipti në Maqedoninë e Veriut janë shpërngulur nëntë persona.

