Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë arrestuar katër persona të dyshuar për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, lidhur me një rast të dyshuar të tjetërësimit të kundërligjshëm të pronës me vlerë mbi 1.5 milion euro.
Sipas Policisë së Kosovës, të dyshuarit M. M., Sh. B., D. R. dhe B. Zh. dyshohet se përmes falsifikimit të dokumenteve, përfshirë pasaportë të Serbisë dhe dokumente të tjera, si dhe duke prezantuar një person të rremë si person real, kanë arritur ta shesin përmes noterit pronën e ankuesit M. T. në sipërfaqe prej 36.28 ari. Po ashtu, ata dyshohet se kanë mashtruar blerësin H. M., duke i prezantuar dokumentacion të rregullt dhe duke përfituar shuma totale prej 1,578,180 euro.
Me urdhër verbal të prokurorit të rastit, janë realizuar kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar mjete monetare në vlerë prej 9,000 euro si prova materiale në procedurat e mëtejme.
Të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale mashtrimi sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, falsifikimi i dokumenteve sipas nenit 390 dhe legalizimi i përmbajtjes së rreme sipas nenit 395 të KPRK-së.
Më 19 shkurt 2026, të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe, pas konsultimit me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
