“Dyshova”, Bleoni tregon si u përfshi në rastin e mashtrimit të dyshuar prej 190 mijë eurosh

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Gjilan, 24 nëntor Zhurnal.mk – Rasti i Endrit Azemit, i cili dyshohet se mashtroi qytetarët duke pretenduar se vuante nga leukemia akute, ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa në këtë histori janë përmendur edhe dy emra të njohur të rrjeteve sociale, Bleoni dhe Laurita.

Pas arrestimit të Azemit, i cili dyshohet se përmes fushatës për trajtimin e tij mblodhi afro 190 mijë euro, komentues të shumtë nisën të hidhnin akuza ndaj dyshes, duke ngritur dyshime për përfshirjen e tyre në këtë rast.

Në një prononcim për Prive by LS, Bleoni ka sqaruar se si ai dhe Laurita u përfshinë në fushatën për mbledhjen e ndihmave, duke treguar se fillimisht ishte kontaktuar nga një person i afërt me Azemin.

Ai ka treguar se në fillim kishte qenë skeptik, mirëpo pasi familjarët e Azemit i kishin prezantuar dokumentacionin mjekësor nga Turqia, ishte bindur dhe kishte vendosur ta shpërndante thirrjen për ndihmë.

Bleoni ka theksuar se ishte tërhequr nga kjo fushatë që të martën e kaluar, pasi kishte nisur të dyshonte dhe nuk po arrinte të kontaktonte me Azemin.

Madje, ai ka bërë të ditur se posedon pamje nga kamerat e lokalit të tij, si dhe incizime të bisedave me familjarët e Azemit, të cilat, sipas tij, dëshmojnë komunikimin që kishte pasur me ta.

Teksa ka shprehur keqardhje për të gjithë qytetarët që kontribuan me qëllimin për të ndihmuar, Bleoni ka mohuar se kishte dijeni për mashtrimin e dyshuar, duke thënë se edhe vetë ishte vënë në lajthim.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar Endrit Azemit masën e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.

artikuj të ndërlidhura