E martja e vendimit në Hagë: Thaçi dhe katër të tjerët presin aktgjykimin

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Hagë, 16 nëntor, Zhurnal.mk Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të përballet të martën me një tjetër aktgjykim në Hagë, në kuadër të një procesi gjyqësor ku mbrojtja i ka kundërshtuar akuzat, duke i cilësuar ato si të paprovuara dhe të mbështetura në interpretime juridikisht të gabuara.

Gjykatësi Christopher Gosnell ka caktuar 17 nëntorin, në orën 10:00, për shpalljen e vendimit, ndërsa ka urdhëruar praninë e të pesë të akuzuarve në seancë.

Përveç Thaçit, aktgjykimin do ta dëgjojnë edhe ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu.

Thelbi i përplasjes mes Prokurorisë dhe mbrojtjes lidhet me bisedat e regjistruara gjatë vizitave në paraburgim, përkatësisht me përmbajtjen e tyre, personat që kanë marrë pjesë në to dhe atë që këto materiale mund të dëshmojnë.

Prokuroria i konsideron regjistrimet si prova të përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët. Në anën tjetër, avokatët e Thaçit kanë kundërshtuar si interpretimin e këtyre bisedave, ashtu edhe besueshmërinë e transkripteve të tyre.

Në parashtrimet përfundimtare, mbrojtja ka pretenduar se hetimet nuk kanë arritur të sigurojnë prova që dëshmojnë kontakte të papërshtatshme me dëshmitarët në emër të ish-presidentit.

Sipas avokatëve, disa pjesë të bisedave ishin të pakuptueshme, ndërsa procesi i transkriptimit nga personeli i Prokurorisë mund të jetë ndikuar nga pritshmëritë dhe bindjet paraprake të vetë hetuesve.

Një tjetër çështje e ngritur nga mbrojtja ka të bëjë me klasifikimin e informacioneve si konfidenciale. Avokatët kundërshtojnë këtë trajtim për materiale që, sipas tyre, ishin tashmë të njohura publikisht ose përbënin kujtime dhe informacione të përbashkëta mes Thaçit dhe vizitorëve të tij.

Mbrojtja ka vënë në pikëpyetje edhe interpretimin e dispozitave penale, duke argumentuar se ato janë zbatuar përtej kuptimit që u jepet në praktikën gjyqësore të Kosovës. Megjithatë, këto janë pretendime të palës mbrojtëse, të cilat ende presin vlerësimin përfundimtar të trupit gjykues.

Për besueshmërinë e transkripteve, në proces ka dëshmuar edhe ekspertja Helen Fraser, e thirrur nga mbrojtja. Ajo e ka vlerësuar si të ulët besueshmërinë e materialeve të transkriptuara.

Megjithatë, Fraser ka sqaruar se nuk mund të deklaronte me siguri se transkriptet ishin të pasakta. Ajo ka pranuar gjithashtu se vlerësimi i saj kishte një kufizim të rëndësishëm, pasi nuk e njihte gjuhën shqipe.

Kritikat e ekspertes ishin përqendruar kryesisht te metodologjia e përdorur gjatë transkriptimit dhe te mungesa e garancive të mjaftueshme për të siguruar saktësinë e materialit të paraqitur si provë.

Prokuroria, ndërkaq, e kundërshton këtë vlerësim, duke u mbështetur në incizimet origjinale, dokumentet që, sipas saj, i përforcojnë ato, si dhe verifikimet e kryera nga njësia gjuhësore e gjykatës.

Gjatë fjalës përmbyllëse, prokurori Joshua Hafetz ka përmendur rreth 28 orë biseda të regjistruara, të zhvilluara gjatë nëntë vizitave në paraburgim, përgjatë një periudhe katërmujore.

Tashmë, pas përfundimit të argumenteve të palëve, vendimi i së martës pritet të përcaktojë vlerësimin gjyqësor për akuzat dhe provat e paraqitura në këtë çështje.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër