Prishtinë, 16 nëntor, Zhurnal.mk – Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri ka reaguar lidhur me interpretimin e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosova, Kosova” në një aktivitet në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar Kosova, duke e lidhur këtë rast me qasjen e pushtetit në raport me Serbinë.
“Kur e kuptojnë se ke ardhur në pushtet me premtime e mashtrime, se je fleksibil dhe lëshon pe ku mundesh e ku s’mundesh, s’ke pse të çuditesh që edhe këngët t’i zgjedhin e t’i lëshojnë në Bruksel, ashtu siç janë kompozu e dakordu në Beograd!”, ka shkruar Tahiri.
Ai e ka cilësuar rastin si gabim të madh të Bashkimit Evropian, duke kërkuar kërkimfalje nga BE-ja dhe dorëheqje në Prishtinë.
“Gabim i madh i BE-së, duhet kërkim falje, e në Prishtinë dorëheqje”, ka shkruar tutje Tahiri.
Reagimi i tij vjen pas interpretimit të muzikës së këngës “Oj Kosova Kosova” në kuadër të mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të BE-së, aktivitet i organizuar nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për zgjerim, Marta Kos.
Në këtë forum, që po mbahet në Bruksel më 15 dhe 16 nëntor, Kosova nuk ishte e ftuar.

