Shkup, 20 prill, Zhurnal.mk – Në mungesë të kursimeve të mjaftueshme vendase, investimet e huaja ofrojnë një rrugë të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut. Sipas hulumtimit të Agjencisë së lajmeve “Zhurnal.mk”, nga të dhënat zyrtare të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, totali i investimeve të huaja direkte në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2023 ishte 577.72 milionë euro, në vitin 2024 arritën në 1196.50 milionë euro, ndërsa investimet e përgjithshme gjatë vitit 2025 ranë në 467.50 milionë euro. Kjo do të thotë se në vitin 2025 ka pasur 729 milionë euro më pak investime në Maqedoninë e Veriut nga jashtë se sa një vit më parë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Nga vijnë investimet më të mëdha?
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, totali i investimeve direkte në vend shënoi neto hyrje prej 269,9 milionë eurosh, si rezultat i rritjes të neto hyrjeve në bazë të borxhit ndërkompani (167,6 milionë euro), kapitalin vetanak (79,4 milionë euro) dhe riinvestimin e fitimit (22,9 milionë euro).
Në vitin 2025, totali i investimeve direkte në vend është 467,5 milionë euro, si rezultat i neto hyrjeve në riinvestimin e fitimit (295,5 milionë euro) dhe kapitalin vetanak (288,1 milionë euro), gjatë neto daljeve në borxhin ndërkompani (116,1 milionë euro).
Sipas të dhënave zyrtare nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, më 31.12.2024, gjendja e investimeve direkte në Republikën e Maqedonisë së Veriut është 8.477 milionë euro (ose 55% nga të dhënat e vlerësuara për PBB-në) nga të cilat 5.737 milionë euro janë investime në kapitalin vetanak, ndërsa 2.740 milionë euro janë investime në instrumente borxhi.
Analizuar sipas shteteve, investimet më të larta direkte, me vlerë 1.365 milionë euro, janë regjistruar nga Austria, më pas Turqia dhe Gjermania, me investime direkte në vlerën 875 dhe 874 milionë euro, respektivisht. Në grupin e pesë investitorëve të huaj më të mëdhenj në vend janë Greqia (me 869 milionë euro) dhe Holanda (me 734 milionë euro). Këto pesë vende përbëjnë 55,7% e totalit të investimeve direkte të periudhës së analizuar.
Analizuar sipas veprimtarive të investimit, nga totali i investimeve direkte, 2.814 milionë euro ose 33,2% janë investuar në veprimtarinë e “Prodhimtarisë”, ndërsa 1.925 milionë euro ose 22,7% në veprimtarinë e “Aktiviteteve financiare dhe të sigurimeve”.
Maqedonia e Veriut ka kushte të mira për investitorët e huaj
Korniza ligjore dhe rregullativa e Maqedonisë së Veriut është përgjithësisht e favorshme për investitorët e huaj dhe ofron stimuj të shumtë për t’i tërhequr ata. Për më tepër, vendi miratoi një ligj të ri për të krijuar kushte më të favorshme për investimet strategjike.
Si Ligji për Zonat e Zhvillimit Teknologjik Industrial ashtu edhe Ligji për Mbështetjen Financiare të Investimeve ofrojnë stimuj për investitorët, duke përfshirë një përjashtim dhjetëvjeçar nga taksat mbi të ardhurat personale dhe të korporatave, qasje të lirë në shërbimet publike, krijimin e vendeve të punës dhe subvencione për investime kapitale, si dhe mbështetje financiare për eksportuesit.
Kostot e punës janë të ulëta, por nga ana tjetër, shpesh ka mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Investitorët e huaj mund të investojnë drejtpërdrejt në të gjithë sektorët e industrisë dhe biznesit, përveç atyre të kufizuar me ligj. Për shembull, investimi në prodhimin e armëve dhe produkteve farmaceutike kërkon miratimin e qeverisë.
Përveç kësaj, sektorë si bankat, shërbimet financiare, sigurimet dhe energjia kërkojnë pajtueshmëri me kërkesat specifike të licencimit, të cilat janë të zbatueshme si për investitorët vendas ashtu edhe për ata të huaj, ndërsa vendi nuk ka një mekanizëm kombëtar të shqyrtimit të investimeve në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Cilat janë problemet dhe pasojat nga mos ardhja e investimeve të huaja!
Maqedonia e Veriut ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të harmonizuar kornizën e saj ligjore me kriteret, standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
Sektori i dixhitalizimit dhe energjisë së gjelbër është identifikuar si strategjik nga qeveria: sipas të dhënave nga fDi Markets, projektet e energjisë së rinovueshme kontribuan më shumë në investimet e huaja direkte në Maqedoninë e Veriut midis janarit 2017 dhe korrikut 2022, duke arritur në një total prej 739 milionë dollarësh amerikanë, përpara sektorit të pasurive të paluajtshme (409 milionë dollarë amerikanë) dhe softuerëve dhe IT-së (381 milionë dollarë amerikanë – të dhënat e fundit të disponueshme).
Megjithatë, problemet më të mëdha mbeten duke përfshirë korrupsionin, mungesën e transparencës, shërbimin e dobët ndaj klientit, burokracinë e tepërt, ndërhyrjen politike në gjyqësor, mungesën e kapacitetit qeveritar, vështirësitë në komunikim dhe mangësitë në sundimin e ligjit dhe zbatimin e kontratave.
Ditë më parë, edhe partia opozitare shqiptare në pushtet, BDI akuzoi se ky nivel i dobët i investimeve të huaja është një nga rezultatet më të dobëta në rajon dhe sinjal i rëndë për ekonominë e vendit.
Investitori i huaj kërkon siguri juridike, institucione funksionale, stabilitet politik, administratë profesionale dhe perspektivë të qartë euroatlantike. Andaj, kur shteti prodhon pasiguri, tensione politike dhe mungesë drejtimi strategjik, kapitali zgjedh destinacione tjera.
Rënia e investimeve në realitetin ekonomik nënkupton më pak vende pune, më pak prodhim, më pak paga më të mira dhe më pak mundësi për të rinjtë.
Maqedonia e Veriut renditet e 58-ta midis 133 ekonomive në Indeksin Global të Inovacionit 2024 dhe e 73-ta nga 184 vende në Indeksin e fundit të Lirisë Ekonomike.
Andaj, kjo qeveri duhet urgjentisht të mendojë për investimet nga jashtë dhe përveç ofrimit të kushteve të volitshme për investitorët, të mendojë edhe për stabilitet politik dhe zgjidhje të problemeve që çojnë drejt Bashkimit Evropian, shkruan “Zhurnal.mk”.
