Editorial / BE-ja ia rikujton Qeverisë, pa ndryshime kushtetuese nuk ka negociata

Nga R.ZH
1,721 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 qershor, Zhurnal.mk – Ambasadori i BE-së Michalis Rokas ia ka këputur shpresat qeverisë se mund t’iu shmangen ndryshimeve kushtetuese. Së fundmi brenda qeverisë u nënkuptua se propozimi nga kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron është shans që të fillojnë negociatat pa i futur bullgarët në Kushtetutë. Por, Rokas ka qartësuar të gjitha dilemat, “miratimi i ndryshimeve kushtetuese është hapi i parë i nevojshëm për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian”, shkruan “Zhurnal.mk”.

Të gjitha aktivitetet e fundit diplomatike në vend dhe në rajon janë qartë të dukshme se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë ekzibicione dhe lojëra politike për çdo shtet që dëshiron të futet në Bashkimin Evropian.

Porosia e ambasadorit të BE-së Rokas ishte shumë e qartë, se fillimisht duhen ndryshimet kushtetuese, e pastaj bëhet hapja e negociatave.

Kjo në një farë mënyre i ka prerë të gjitha shpresat për manovrime të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, se mund të gjejë një shteg se si t’iu ikë ndryshimeve.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Timço Mucunski në Sofje kërkoi hapur të flitet se nuk do të ketë kërkesa shtesë nga Bullgaria. Ai në gjuhën diplomatike edhe njëherë përsëriti qëndrimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut se mund të ketë ndryshime kushtetuese në të ardhmen, por vetëm nëse nuk do të ketë kërkesa shtesë për Maqedoninë e Veriut që lidhen me historinë, identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe çështje të tjera dypalëshe që do të lindnin pas fillimit të negociatave – çështje që lidhen me komisionet historike të cilat nuk janë çështje themelore evropiane.

BE-ja edhe njëherë ia zgjati dorën Maqedonisë së Veriut duke ofruar edhe dokument shtesë i propozuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron ku qartë përshkruan të gjitha hapat e zgjerimit të BE-së.
Mesazhi më i madh që doli nga samiti i Tivatit ishte se procesi i zgjerimit të BE-së është i gjallë, dinamik dhe urgjent dhe se vendet kandidate nuk duhet ta humbasin këtë mundësi për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian.

Dokumenti përshkruan të gjitha hapat dhe tregon se kjo vetëm sa forcon integrimin, sepse për të negociuar diçka, së pari duhet të hapen kapituj, të negociohen dhe pastaj të mbyllen.
Pra me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, vetë korniza negociuese e dakordësuar në vitin 2022 e përcakton këtë. Pastaj, si hap tjetër, vjen konferenca ndërqeveritare, e ndjekur nga fillimi i negociatave zyrtare.

Në politikën më të gjerë të BE-së mjaft domethënës është edhe lajmi se BE-ja po përgatit negociata me Ukrainën dhe Moldavinë.
Pra, pas dy vitesh ngecjeje, të dy vendet më në fund po i afrohen fillimit formal të bisedimeve të anëtarësimit në BE. Dhe, procesi kyç për zhbllokimin e procesit ishte vendimi i kryeministrit të ri hungarez Péter Magyar, i cili njoftoi se ishte arritur një marrëveshje me Ukrainën për të forcuar të drejtat e hungarezëve etnikë në këtë vend. Pra, Hungaria kërkonte më shumë të drejta për hungarezët që jetojnë në Ukrainë, që mohohej nga presidenti ukrainas. Por, Zelenski e vendosi interesin e shtetit mbi gjithçka dhe ka pranuar kompromisin duke u marrë vesht me hungarezët, dhe duke i hapur vendit të tij rrugën drejt BE-së.

Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë në gjendje të përparojë shpejt në rrugën e saj drejt integrimit evropian, varësisht nga zbatimi i reformave të kërkuara si pjesë e agjendës.

Të gjitha këto shembuj janë të qartë se Maqedonia e Veriut dhe qeveria e Mickoskit duhet ta kuptojnë se kompromisi është e vetmja gjuhë e diplomacisë që vlen dhe mund të aplikohet në BE.

Të gjitha shtetet në BE e kanë bërë të qartë disa herë se e mbështesin Maqedoninë e Veriut, por mbi të gjitha duhet qeveria e Maqedonisë së Veriut ta kuptojë se komprimisi dhe respektimi i rregullave të BE-së është kusht kryesor për të vazhduar më përpara.

Është fakt i përsëritur disa herë se BE-ja e dëshiron Maqedoninë e Veriut në familjen e saj, por mbi të gjitha vetë politikanët dhe drejtuesit e shtetit në Maqedoninë e Veriut duhet ta duan dhe të gjejnë zgjidhje për çdo çështje që ka të bëjë me integrimin.

Kompromiset nuk janë të lehta, por ato duhet të tejkalohen. Andaj, edhe porosia e ambasadorit të BE-së në Shkup ishte shumë e qartë dhe direkte, “s’ka negociata, pa ndryshime kushtetuese”, e kjo nënkupton mos humbni kot kohë, sepse nuk ka shteg tjerët nga mund të dilet përveç se të merreni vesht me Bullgarinë, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër