Editorial / Çdo vonesë drejt integrimit mund të keqpërdoret nga forca që janë kundër BE-së!

Nga R.ZH
863 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 shtator, Zhurnal.mk – Zgjerimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian nuk është më vetëm një zgjidhje dhe interes i këtyre vendeve, por është vendim strategjik për të ardhmen e vetë Evropës. Nëse Brukseli nuk vepron shpejtë që ta mbyllë këtë “vrimë të zezë”, atëherë forca tjera rajonale dhe globale që janë kundër integrimit, mund ta shfrytëzojnë këtë moment dhe ta marrin epërsinë. Qytetarët janë lodhur nga pritja, prandaj çdo vonesë nuk është as në të mirën e vendeve të Ballkanit por as në të mirën e vetë BE-së, shkruan “Zhurnal.mk”.

Kryeministri slloven kërkon që BE-ja të mbajë premtimet!

Kryeministri slloven Janez Jansha ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi strategjike për të ardhmen e Evropës dhe se BE-ja duhet të përmbushë premtimet e dhëna vendeve kandidate.

Qëllimi i zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe Fqinjësisë Lindore është edhe më i rëndësishëm se më parë, por se, përveç kandidatëve që plotësojnë kushtet, është gjithashtu e rëndësishme që Bashkimi Evropian ta mbajë fjalën e dhënë.

“Nëse Bashkimi Evropian nuk zgjerohet, dikush tjetër do ta bëjë, në dëmin tonë”, paralajmëroi kryeministri slloven.

Jansha deklaroi se roli i ardhshëm i Evropës në botë do të varet nga mënyra se si ajo do t’u përgjigjet katër sfidave strategjike – sigurisë, qëndrueshmërisë, demografisë dhe besueshmërisë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Evropa pa Ballkanin nuk është e sigurtë!

Jo rastësisht gjithmonë është thënë se Luftërat Botërore nisin në Ballkan. Prandaj, vëmendja dhe presioni ndërkombëtar nuk duhet të largohet nga ky rajon, e sidomos i aleatëve perëndimor. Ndikimi që mund të kenë vende si Rusia, mund direkt ta dëmtojë sigurinë e BE-së, sepse paqja nuk është diçka që mund të merret si e mirëqenë dhe se ajo duhet të mbrohet.

Ukraina është një shembull i qartë se si Rusia lufton natë e ditë për t’i arritur qëllimet e saj ekspansionmiste drejt perëndimit.

Ndikimi i Rusisë është shumë i madh në Serbi, dhe këtë mund ta shfrytëzojë Moska zyrtare për të shkaktuar trazira në rajon. Kjo u duk qartë me tentimin për trazira dhe konflikt në Banjskë të Mitrovicës në Kosovë, por këtë e bën vazhdimisht edhe me komunat dhe enklavat serbe në Bosnjë dhe gjithkund ku të mundet.

Së fundmi, dukuri mjaft shqetësuese është edhe ndikimi i Rusisë dhe Serbisë në Maqedoninë e Veriut, në veçanti nëpërmjet partisë serbe në qeveri, e cila vazhdon agjendën e saj drejt zgjerimit dhe ndikimit serb në Maqedoninë e Veriut.

Prandaj, çdo anashkalim i Ballkanit është një mundësi e re për vatër zjarri, për konflikt dhe për prishje të qetësisë. BE-ja duhet ta kuptojë se vetëm nëse i fut nën ombrellën e saj këto vende, mund të ketë kontroll maksimal dhe të minimizojë veprimet pro ruse, pro kineze apo edhe pro turke, shkruan “Zhurnal.mkm”.

Qytetarët e Ballkanit po ikin në Evropë, e Ballkani po mbushte me qytetarë të Azisë e Afrikës

Në tentimin për të mbushur zbrazëtirën dhe mungesën e fuqisë punëtore, BE-ja po e shef Ballkanin vetëm si një vegël për të plotësuar këtë mungesë. Të gjithë punëtorëve nga Ballkani u hapen shumë lehtë dyert për të punuar në Evropë. Ata janë të mirëseardhur sepse kanë përparësi të ndryshme. Janë evropianë dhe kultura e tyre është e ngjashme dhe e pranueshme me BE-në.
Por, kjo ikje e trurit dhe punëtorëve nga Maqedonia e Verit dhe nga Ballkani, po le zbrazëtira në vendet e tyre amtare. Prandaj, tani shtetet e Ballkanit janë të detyruara të marrin dhe kërkojnë punëtorë nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme. Kjo ka ndikim tjetër në ekonomi por mbi të gjitha në siguri, sepse si vende jashtë BE-së, shtetet e Ballkanit kanë më pak kontroll ndaj atyre që hyjnë në këto vende.

Prandaj, Evropa duhet të ndërtojë partneritete të besueshme, të diversifikojë zinxhirët e furnizimit dhe të forcojë kapacitetet e veta në fushat me rëndësi strategjike.

Migrimi i paligjshëm nuk mund të jetë zëvendësim për politikën demografike dhe mbështeti kufij të sigurt dhe migrim të ligjshëm, selektiv, të përshtatur sipas nevojave ekonomike.

Ndikimi i vendeve të BE-së forcohet duke ndërtuar aleanca, si partnerë të besueshëm dhe duke përmbushur premtimet që i kanë bërë drejt Ballkanit Perëndimor.

Është fakt se Bashkimi Evropian po kalon një provë serioze dhe se projekti evropian duhet të përshtatet me sfidat moderne. Marrëdhënia midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara mbetet thelbësore, ndërsa Evropa gjithashtu duhet të marrë përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen e saj dhe zgjerimin e saj.

Populli thotë “nëse nuk të vlerëson i yti, të vlerëson i huaji”, ngjashëm është edhe me rastin e Ballkanit, nëse BE-ja s’ia di vlerën dhe e përbuz këtë mundësi, atëherë shtete tjera me interes për këtë rajon, mund të lakmojnë e tërheqin për veti shumë shtete të Ballkanit perëndimor.

Gjithmonë duhet vepruar shpejt dhe me përgjegjësi, në të kundërtën bashkë me vendet e Ballkanit, humbëse më e madhe do të jetë vetë BE-ja, shkruan “Zhurnal.mkm”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër