Editorial / Katër vite nga kushti bullgar, pa dritë në fund të tunelit për negociatat

Nga B.M
1.9K e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 Mars, Zhurnal.mk – Në korrik bëhen saktësisht 4 vite që nga vënia e imponuar nga Bullgaria e kushtit të Bashkimit Evropian ndaj Maqedonisë së Veriut për të filluar negociatat për anëtarësim.

Që nga atëherë rruga e vendit është shndërruar në një bllokadë përbrenda një tuneli në të cilin nuk shihet ndonjë dritë për vazhdim rruge për dalje, shkruan Zhurnal.mk.

Kronologjia

Në korrik të vitit 2022 qeveria e atëhershme e udhëhequr nga LDSM dhe BDI iu dorëzua presioneve nga Bullgaria, e me këtë edhe të 26 vendeve të tjera anëtare të BE-së dhe e pranoi kushtin për të ndryshuar Kushtetutën e vendit për të futur bashkësinë bullgare në të.

Ky kusht u shndërrua në kornizë të përbashkët midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit.

Por shumica parlamentare e asaj kohe, nuk i kishte dy të tretat, 80 vota pra, në kuvendin me 120 ulëse për të bërë ndryshimet e imponuara kushtetuese. I duheshin votat e VMRO-DPMNE-së. Dhe bllokada mori hov. Kështu ajo vazhdoi deri në zgjedhjet e 2024-tës.

Pas zgjedhjeve pushteti u ndërrua, dhe bllokada vazhdoi dhe po vazhdon ende. Shumica parlamentare e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ashtu edhe siç pritej, nuk ndryshoi qëndrim.

Kreu i VMRO-DPMNE-së dhe Kryeministër, Hristijan Mickoski, tashmë ka kushtet e tij publike ndaj Bullgarisë dhe BE-së për të plotësuar kushtin e tyre për t’i dhënë fund bllokadës.

Ai insiston që Bulgaria dhe BE të garantojnë në mënyrë formale në të shkruar, se Bulgaria, pra krejt BE-ja si e tillë, që në të ardhmmen të mos ketë kushte të reja të cilat kanë të bëjnë me identitetin maqedonas e gjuhën maqedonase.

Mickoski është këmbëngulës në këtë kusht të tij për të plotësuar kushtin e Bullgarisë e BE-së për të futur bashkësinë bullgare në Kushtetutën e vendit.

Por Bullgaria dhe vet BE-ja përsëri nuk ndërrojnë mendje. Ato nuk kanë përgjegje pozitive për Mickoskin.

Bullgaria dhe BE-ja vazhdojnë që të injorojnë kërkesën e Mickoskit dhe partisë së tij, pra shumicës së maqedonasve të vendit.

Së fundi, këto refuzime përcillen dhe përsëriten edhe në projekt-rezolutën e nisur nga Parlamenti Evropian, të shkruar nga deputeti austriak Thomas Waitz.

Teksti i tij përsëri edhe njëherë më shumë thërret Maqedoninë e Veriut për të plotësuar kushtin e imponuar nga Bullgaria, dhe ai nuk përfshinë fare kërkesat/kushtet e Mickoskit.

Ndërmjetësimi i munguar

Në tërë këtë bllokadë, tash për tash nuk shihet ndonjë dritë në tunel për vazhduar rrugën e premtuar të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në bllokun evropian.

Komisionerja e re Marta Kos, vitin e kaluar tërthorazi kishte shprehur një lloj gatishmërie për të ndërmjetësuar midis Shkupit dhe Sofies për të tentuar zhbllokuar situtatën e gjetur eventualish një kompromis.

Por vullneti i saj përfundoi me aq. Bullgaria nuk lëshon rrugë dhe nuk ndodhi gjë.

As këtyre ditëve nuk shihet ndonjë gjasë që dikush nag zyrtarët e institucioneve të BE-së apo të vendeve anëtare të BE-së të jetë vullnetar për të tentuar zhbllokuar gjendjen e krijuar.

Situata më e re në Lindjen e Mesme e bënë këtë shpresë dhe gjasë ndërmjetësimi edhe më të të dobët. Tash edhe më shumë vëmendja e BE-së është shpërqëndruar edhe më shumë gjetiu nga mosmarrëshjet Shkup-Sofie.

Me fjalë të tjera, bllokada në tunelin e pa dritë po forcohet edhe më shumë.

Muskujt e fuqisë së vetos së vendeve anëtare më së keqi i ka përjetuar pikërisht Maqedonia e Veriut, dhe pra qytetarët e saj.

Ishte Greqia dikur, është Bullgaria tash

Kërkesa e Greqisë u plotësua e Maqedonia me emér të ri kushtetues u bë anétare e NATO-s. Kërkesa e Bullgarisë nuk pritet që të përmbushet për shkak të numrit aktual të deputetëve të shumicës në parlamentin vendit.

Ndërkohë, Maqedonasit kanë të drejtë që të shqetësohen. Kush iu garanton maqedonasve se Bullgaria nuk do të sulmojë indentitetin maqedonas, historinë e popullit maqedonas, e gjuhën maqedonase, si kusht të ri për t’u anëtarësuar në BE. Përgjegja është : ASKUSH.

Është BE-ja ajo që duhet të lëvizë, përkatësisht shtetet anëtare të mëdha të saj, si Gjermania dhe Franca, që do të duhej të marrin rrolin e ndërmjetësuesit për të garantuar se Bullgaria nuk do të mund të godas indentitetin dhe gjuhën maqedonase.

Problemi i zgjerimit të BE-së është vet përbrenda rregullave për vendimarrje në BE.

VETO-ja bllokon zgjerimin dhe në këtë rast i jep penalti dëmtuese Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut.

Cila është rrugëdalja pa anëtarësim në BE?

BE dhe vendet anëtare të saj fajin e hedhin tek vendet kandidate edhe në këto lloj çështjesh që nuk kanë të bëjnë me rregullat standarde të reformave për zgjerim të bllokut evropian.

Maqedonia e Veriut, dhe maqedonasit, shqiptarët e qytetarët e tjerë të vendit, janë viktimë e rregullave të ngurta dhe penaltive të krijuara nga vet vendet anëtare të BE-së secila për interesat të tyre. Në futboll kësaj i thonë: edhe lojtar edhe refer.

Për të zhbollkuar situatën me Maqedoninë duhet shpresuar në ndonjë ide kreative nga dikush, e që tash për tash vështirë që të gjendet.

Deri atëherë dhe në pritje të thyerjes së akullit për komprmis, aktorët politik në Maqedoni të Veriut do të duhej të përqëndrohen në zhvillim ekonomik, harmoni ndër-etnike, dhe mirëqenie ekonomike-sociale.

Dalja nga tuneli

Në fund të fundit, ka jetë dhe zhvillim të shëndoshë edhe pa anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zvicra, Islanda, Norvegjia e Britania e Madhe janë katër shembuj të mirë.

Në fakt Maqedonia e Veriut ndodhet pikërisht në këtë situatë sikur edhe këto katër shtete. Nëse Bullgaria dhe 26 vendet e tjera nuk duan kompromis me Shkupin, jeta vazhdon.

Kur ato të jenë të gatshme për kompromis Maqedonia e Veriut do të jetë aty për të vazhduar rrugën dhe dalë nga tuneli për t’u anëtarësuar në shtëpinë e madhe evropiane të komplikuar nga vet vetoja e anëtarëve të saj, shkruan Zhurnal.mk.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër