Editorial / Kujt po i pengojnë emrat shqip të rrugëve në Tetovë – a po nxit tensione ndëretnike Gjykata Kushtetuese!

Nga B.M
2,617 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 mars, Zhurnal.mk – Gjykata Kushtetuese, në seancën e saj të fundit, vendosi të fillojë procedurën pas Vendimit për ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, të miratuar nga Këshilli i Komunës së Tetovës më 24 prill 2007 dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare të Komunës së Tetovës më 26 prill 2007. Por, kjo iniciativë duket se po i fryen “zjarrit” drejt tensioneve të reja, sepse heqja e emrave shqip nga rrugët e sheshet në vendbanimet shqiptare është një provokim i rëndë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Iniciativa për rishikimin e Vendimit u morr në shkurt të vitit 2025 nga Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945 të cilët në njoftimin e tyre thonë se e përshëndetin publikisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa e kërcënojnë përbërjen aktuale të Këshillit të Komunës së Tetovës që të “mos guxojë, as të përpiqet, të ndryshojë emrin e një rruge të vetme”.

Kur Hazbi Lika ishte kryetar bashkie, Këshilli vendosi të ndryshojë emrat e disa rrugëve në Tetovë. Kështu, sheshi i qytetit dhe bulevardi kryesor, i cili mbante emrin e “Marshall Tito”, u riemëruan në sheshin “Iliria”. Disa rrugë në qytet u emëruan gjithashtu sipas aktivistëve dhe luftëtarëve shqiptarë nga e kaluara. Edhe pse ky vendim i Këshillit të Bashkisë së Tetovës nuk u bë kurrë zyrtar, sepse nuk mori leje nga Qeveria, deri më sot komuna përdor emrat e rinj në dokumentet e saj, ndërsa emrat e vjetër të rrugëve janë në dokumentet e lëshuara nga shteti.

Para përfundimit të mandatit të tij të parë, kryetari aktual i bashkisë Bilall Kasami nisi përsëri një iniciativë për të fshirë më tej emrat e rrugëve të caktuara dhe për t’i zëvendësuar ato me të reja, duke thënë se disa emra janë një mbetje e një kohe të errët të kaluar, duke iu referuar rrugëve të emëruara sipas figurave nga Lufta Çlirimtare Popullore dhe ish-Jugosllavia. Ai gjithashtu formoi një komision për të ndryshuar emrat e rrugëve dhe hapi një debat publik në të cilin qytetarët paraqitën propozime. Ndër këto propozime ishin edhe emrat të anëtarëve të UÇK-së, shkruan “Zhurnal.mk”.

Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut me hapjen e lëndës për emërtimin e rrugëve në Tetovë, po hap një plagë të vjetër të para gati 20 viteve. Nëse kjo gjykatë bie nën presionin e ish-komunistëve, të cilët njihen se kanë bërë zi-e-më-zi në Tetovë dhe në trojet shqiptare, në këtë formë do të shkaktojë një revoltë të madhe qytetare dhe i fryen tensionimit të situatës.

Sipas këtyre nismëtarëve, Kushtetuta dhe ligji përcaktojnë që emrat e rrugëve duhet të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe me alfabetin cirilik, prandaj ata kundërshtojnë përdorimin e emrave si “Kongresi i Manastirit” apo “Dëshmorët e Kombit”, duke argumentuar se këto emërtime janë në gjuhën shqipe dhe, sipas tyre, duhet të përkthehen në maqedonisht që të kenë kuptim në gjuhën zyrtare të shtetit.

Gjykata Kushtetuese me veprime të tilla të “pa matura” herë pas herë, ndoshta edhe qëllimshëm, po e nxeh situatën duke krijuar përçarje më të madhe ndëretnike. Me këtë formë, po vazhdon të hapë tema që moti kohë jënë mbyllur, dhe në këtë formë po nxit urrejtje e fyerje.

Pyetja që shtrohet vetvetiu është se kujt po i pengon gjuha shqipe në Tetovë dhe në Maqedoninë e Veriut! A janë të vetëdijshëm këta gjykatës, që ata duhet të jenë garantues të paqes dhe të stabilitetit politik të këtij shteti multietnik. Nëse Maqedonia e Veriut është shtet ku jetojnë bashkësi të ndryshme etnike, atëherë cila është logjika e insistimit të një bashkësie etnike kundrejt të gjitha të tjerave. Dhe krejt tek e fundit, cila është logjika që sheshi në mesin e Tetovës të quhet ende me emrin e Titos!

Gjykata kushtetuese u bë mollë sherri edhe në shfuqizimin e balancuesit, por edhe të përpjekjes për shfuqizimin e gjuhës shqipe. Vazhdimisht mundohet të gjejë alibi dhe “truqe” vetëm se si e si të shfuqizojë gjithçka që është shqiptare. Kjo gjykatë duhet të vendosë “gishtin në kokë” e të mendojë mirë se kjo mendësi e dërgoi Maqedoninë e Veriut drejt vitit 2001, dhe nëse ajo situatë ishte e padëshirueshme për secilin, atëherë mos të hapim plagë te vjetra!, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër