Editorial: Kur foltorja në kuvend hesht, politikanët “shesin mend” në Facebook

Nga admin
616 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 mars, Zhurnal.mk – Kuvendi si organ legjislativ është edhe arenë ku përballen mendimet dhe argumentet e përfaqësuesve të popullit me njëri-tjetrin dhe me qeveritarët e anasjelltas.

Në rastin e deputetëve shqiptarë, intervenimet e tyre kryesisht dominohen me akuza e kundër-akuza me njëri-tjetrin që shpalos kundërshtitë e mëdha midis partive të tyre për pothuajse gjithçka.

Seanca e djeshme e kuvendit ishte një përvojë që shpalosi përsëri para publikut një mangësi të madhe të “patriotizmit” të shumicës së deputetëve shqiptarë.

Deputeti nga Lëvizja Populli, Skender Rexhepi, u përplas me Kryeministrin Hristijan Micskoski.

Pa ndonjë befasi, që të dy kanë interpretime të kundërta me njëri-tjetrin nëse gjuha shqipe është apo nuk është gjuhë kushtetuese zyrtare në Maqedoni të Veriut.

Ajo që tërhoqi vëmendjen gjatë atyre minutave të përplasje midis tyre ishte abstenimi i deputetëve të tjerë shqiptarë, i të dy krahëve, opozitë dhe pozitë, për çështjen madhore të gjuhës shqipe.

Asnjë deputetë tjetër shqiptarë nuk u përfshi në këtë debat të rreptë midis Rexhepit dhe Miskoskit.

Kjo kështu edhe kur çështjet kanë të bëjnë me tema thelbësore siç është gjuha shqipe dhe statusi i saj kushtetues i cili kontestohet, përkatësisht interpretohet ndryshe nga të njëjtit në krahasim me qeveritarët maqedonas, apo edhe ata maqedonas në opozitë.

E ndërkohë, kur abstenojnë nga debati në kuvend, për këtë çështje madhore që ka të bëjë me gjuhën shqipe dhe kufizimet që po i bëhen nga qeveritarët maqedonas në përdorim të saj, deputetët shqiptarë janë të zëshëm jashtë arenës së kuvendit.

U morr vesh, Facebook është bërë “arena e patriotizmit” të tyre dhe aty kryesisht të njëjtit që abstenuan nga debati dje në kuvend, u bënë aktiv në Facebook në mbrëmje.

Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, u mor me gjuhën shqipe dhe e sulmoi avokatin e popullit pse ka kërkuar ligj të ri për provimin e jurisprudencës për të theksuar qartë në të se ky provim duhet të bëhet edhe në gjuhën shqipe, pos ligjeve që avokati i propozoi për noterinë dhe përmbaruesit?

Por Ademi, vjen nga pikërisht ajo parti, BDI, që javë me parë e dërgoi në kuvend pothuajse të njëjtin propozim sikur edhe avokati i popullit Faton Selami për gjuhën shqipe në provimin e jurisprudencës.

Por, BDI e Ademi ditë më parë e tërhoqën po të njëjtin propozim nga procedurat e kuvendit, dhe sikur u “kujtuan” pastaj se ligji për përdorim të gjuhëve është i mjaftueshëm dhe ai iu jep të drejtë studentëve shqiptarë që të futen në këtë provim në gjuhën shqipe.

Për BDI-në javë më parë i njëjti ligj nuk ishte i mjaftueshëm, e tash qenka i mjaftueshëm?!

Pa hyrë në interpretimet se është apo nuk është i mjaftueshëm. këtë deputeti Ademi do të mund t’ia kishte thënë dje në seancë kryeministrit Mickoski. Por ai nuk e bëri këtë fare. A ishte prezent në atë pjesë të seancës, apo nuk ishte prezent kjo nuk ka asnjë rëndësi. Nëse nuk ishte, pse nuk ishte pra? E nëse ishte pse heshti pra?

Por edhe nëse nuk ishte, pse ai në arenën e tij të preferuar, pra Facebook, nuk e kundërshtoi Mickoskin, por e goditi Selamin për atë që ai dhe krejt partia e tij e bënë para disa javëve, e u penduan pas pak ditëve?

Përgjigja i takon vet Ademit dhe kolegë të tij nga BDI, dhe deputetëve të tjerë të partive opozitare.

Nga kjo pjesë e çështjes, nuk mund të aministohen as deputetët që vijnë nga VLEN, apo një tjetër që është në LSDM.

Ata që ishin dje në seancë, në momentet e përplasjesë Rexhepi-Mickoski, heshtën. Ata të tjerët që nuk ishin, përsëri nuk u panë as nëpër Facebook për të shprehur mospajtimet e tyre me interpretimet e Mickoskit, apo edhe të Rexhepit, nëse nuk pajtohen me interpretimet e njërit apo tjetrit.

Sulmi i Ademit ndaj Selamit shkaktoi reagim nga deputetja e VLEN, Imërlije Saliu, në Facebook.

Ajo me të drejtë i përkujtoi Ademit se problemet që po shpërthejnë tash së fundi me përdorim të kufizuarr apo ndalim përdorimi të gjuhës shqipe nëpër disa sektorë apo instanca publike, e kanë një origjinë, dhe ato nuk lindën tash kur VLEN është në pushtet e BDI në opozitë.

Askush nuk mund t’ua mohoj të drejtën politikanëve që të përplasen nëpër rrjete sociale me njëri-tjetrin. Ajo është e drejtë e tyre dhe e të gjithë të tjerëve.

Por pyetja e madhe është: pse këto përplasje përkufizohen kryesisht vetëm midis tyre, përkatësisht atyre që janë në opozitë dhe atyre në shumicë parlamentare?

Pse ky kufizim në këtë mënyrë? Pse ky debat nuk zbret në kuvend? Pse këto paknaqësi nuk bëhen ndaj atyre që e kufizojnë gjuhën shqipe?

Pse mungon guximi i të dy palëve që të përplasen me kryeministrin, i cili në paraqitjen e parë për provimin e jurisprudencës tha se ligji për përdorim të gjuhëve e mundëson përdorimin e gjuhës amtare, pra edhe gjuhës shqipe për studentët shqiptarë, e dy ditë më vonë iu bashkëngjit ministrit të ZNAM, Igor filkovit, se u dashka një ligji i ri i posaçëm për jurisprudencën.

Akuzat dhe kundër akuzat midis deputetëve shqiptarë, atyre në opozitë dhe pozitë, në kohën e tashme, janë të paefektshme. Ato si duket bëhen për arsye të interesit partiak e aspak për interesin e përbashkët: avancimin e statusit kushtetues të gjuhës shqipe dhe përdorimin e plotë të saj.

Asnjë nga prej këtyre politikanëve shqiptarë, nuk e ka guximin që të merret me origjinën e madhe të problemeve me gjuhën shqipe që u ringjallën tash në 2026, e që nuk janë të reja pra.

Askush prej tyre nuk po merret me idenë e ndryshimit të kushtetutës për ta barazuar gjuhën shqipe me gjuhën maqedonase aty që në fillim të saj, në të njëjtën fjali ku ndodhet edhe gjuha maqedonase.

Si është e mundur që të gjithë deputetët shqiptarë, pushtet dhe opozitë, janë për ndryshim kushtetute për bashkësinë bullgare për shkak se kërkohet nga Bullgaria dhe BE për rrugëtim për anëtarësim në bllokun e evropian, e në të njëjtën kohë që të giithë heshtin, për freskimin e kushtetutës për gjuhën shqipe?

Në facebook, kuvend, apo studio televizive, që të gjithë këta deputetë e politikanë shqiptarë heshtin për mosbarazinë e gjuhës shqipe me gjuhën maqedonase që në kushtetutë.

E për pasojë vazhdojnë që të merren me copëza të pasojave, pa guxuar të merren me themelin e çështjes.

Mungesë guximi është kjo, sepse nuk mund të besohet se të njëjtit kanë mungesë idesh apo mungesë kreativiteti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër