Editorial / Listat e hapura të pranueshme, por partitë shqiptare t’i hapin mirë sytë për modelin zgjedhor!

Nga B.M
1,498 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 mars, Zhurnal.mk – Gjatë këtyre ditëve sërish është riaktualizuar tema e ndryshimeve eventuale të ligjit të zgjedhjeve, përkatësisht për një Kod të ri Zgjedhor. Partitë shqiptare ende nuk e kanë një qëndrim të tyre se si duhet të dalin në zgjedhjet ardhshme. Kreu i Kuvendit Afrim Gashi, vlerëson se duhet të flitet për të gjitha temat, përfshirë numrin e njësive zgjedhore; pragun për kualifikim për në kuvend të partive, dhe ndryshimin e numrit të deputetëve. Mirëpo Gashi ka thënë se për asnjërën nga këto tema ai personalisht nuk ka qëndrim të prerë dhe se do të mbështesë konsensusin e shumicës, përveç se për listat e hapura të kandidatëve për deputetë, të cilat ai vlerëson se duhet të bëhet për cilindo model zgjedhor që të vendoset shkruan “Zhurnal.mk”.

Çfarë janë listat e mbyllura dhe të hapura për deputetë në zgjedhjet?

Në sistemin aktual zgjedhor, ekzistojnë lista të mbyllura, ku votuesit votojnë për një parti ose koalicion dhe kështu nuk e kanë mundësinë të votojnë ose të zgjedhin një kandidat të caktuar të preferuar nga vet ata nga e njëjta parti e tyre e preferuar.

Në sistemin aktual të mbyllur, më të “fortit” e partisë vendosin vet se kush prej tyre do të jetë deputet në kuvend e jo qytetarët. Pra qytetarët kanë mundësi të votojnë për parti, por jo drejtpërdrejt për emra të veçantë të kandidatëve të të njëjtës parti. Kësaj i thonë listë e “mbyllur”.

Kjo do të thotë që në fund të procesit zgjedhor, vetëm ata kandidatë që janë më lartë në listë dhe që janë renditur nga muskujt e më të fortëve të partisë, në varësi të votave të fituara nga partia bëhen deputetë.

Me fjalë të tjera, partia ua merë votën qetarëve e krerët e partisë vendosin pastaj vet se kush do të jetë anëtar i parlamentit.

Një listë e hapur do të thotë që votuesit mund të votojnë për kandidatin për deputet ose këshilltar bashkiak që e ata vet konsiderojnë më të mirin, pavarësisht se ku ndodhet në fletën e votimit ky kandidat.

Në modelin e listës së hapur, ata kandidatë që kanë marrë më shumë vota individuale nga qytetarët votues bëhen deputetë. Pra listat e hapura nënkuptojnë mbështetje për një person kandidat, dhe listat e mbyllura nënkuptojnë mbështetje për një parti.

Listat e hapura gjithashtu nënkuptojnë më shumë hapësirë për të dëgjuar mendimin e secilit votues, dhe qytetarët do të kishin mundësinë të votonin pikërisht për kandidatin që u pëlqen.

Në këtë mënyrë, roli i udhëheqjeve të partive në emërimin e vendeve “të sigurta” parlamentare nga maja e listës do të zvogëlohej, shkruan “Zhurnal.mk”.

Listat e hapura do të sjellin deputetë më cilësor në Kuvend!

Përfaqësuesit e sektorit joqeveritar, profesorët, analistët dhe ekspertët e sistemeve zgjedhore vazhdimisht kanë theksuar se listat e hapura janë një nga hapat kryesorë drejt demokratizimit të vërtetë të procesit zgjedhor dhe vendimit të drejtpërdrejtë nga qytetarët votues se kush duhet t’i përfaqësojë ata në kuvendin e vendit e kuvendet komunale.

Me listat e hapura, do t’u lejohej qytetarëve të kishin ndikim më të madh në përzgjedhjen e kandidatëve specifik, në vend që të votonin automatikisht për renditjen e përcaktuar nga udhëheqjet e partive, pa i njohur as kandidatët e tjerë në listë.

Një mungesë e tillë transparence ka kontribuar që qytetarët shpesh të mos kenë motivimin për të hedhur votën e tyre për njerëz që nuk i njohin fare, gjë që nga ana tjetër është një arsye shtesë që shakton pjesëmarrje gjithnjë e më të ulët në çdo cikël zgjedhor.

Partitë më të vogla janë veçanërisht të zëshme në kërkesat e tyre për futjen e listave të hapura në zgjedhje, duke besuar se ekspertiza, kompetenca, besueshmëria dhe përgjegjësia e kandidatëve të ofruar duhet të jenë parësore, dhe se qytetarët mund ta vlerësojnë më mirë këtë nëse e njohin kandidatin dhe pikëpamjet e tij ose të saj para se të votojnë për të në fletën e votimit.
Sistemi konservator aktualisht pengon futjen e listave të hapura sepse “shefat” e partive më të mëdha duan që të ruajnë kontrollin mbi procesin zgjedhor dhe t’i mbajnë anëtarët nën kontrollin e partisë në vend që t’i mbajnë drejtpërdrejt përgjegjës para qytetarëve.

Me listat e hapura mund të kontribuojnë edhe në përmirësimin e cilësisë së kandidatëve, sepse kur kandidatët e dinë se zgjedhja e tyre varet nga besimi i votuesve, ata motivohen të udhëheqin një fushatë aktive, të jenë të njohur në publik dhe të ndërtojnë komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Hapja e listave zgjedhore është e mirë, por ndryshimi i modelit duhet mirë analizohet!

Duhet të jetë shumë e qartë se nuk ka një model ideal zgjedhor, por debati dhe analizat partiake do të tregojnë nëse do të ketë një kod të ri zgjedhor apo vetëm ndryshime sipërfaqësore që nuk do të tejkalojnë një të tretën e ligjit ekzistues.
Në të gjithë këtë paketë të përfolur për reforma zgjedhore bien në sy disa gjëra, kryesisht përkufizimi i Maqedonisë si një njësi e vetme zgjedhore; zvogëlimi i numrit të anëtarëve të kuvendit nga 120 që është aktualisht në 90, si dhe nevoja për të futur lista të hapura në zgjedhjen e përfaqësuesve të popullit.

Nga të gjitha këto tre pika kryesore, listat e hapura nuk janë një rrezik për zvogëlimin e numrit të deputetëve shqëiptarë në Kuvend, por për dy pikat tjera nëse më mirë të kemi 120 ose 90 deputetë, dhe të kemi një njësi zgjedhore ose më shumë njësi zgjedhore, duhet partitë shqiptare të analizojnë shumë mirë nëse janë në dobi të tyre ose jo. Levizjet e fundit demografike, shpopullimi i shumë zonave, sidomos tek shqiptarët ka bërë që kalkulimet me zgjedhjet mos të jenë të lehta.

Dëshmi është mungesa e koncensusit në zgjedhjet e fundit në Gostivar, Vrapçisht dhe në Mavrovë. Shqiptarët nuk kanë aspak kontroll në daljen e votuesve në pjesën lindore të Maqedonisë, prandaj nëse kemi një njësi zgjedhore, atëherë koncensusi rritet shpeshherë me dalje “fiktive” të këtyre votuesve dhe shqiptarët në anën tjetër mund të humbasin. Prandaj, nevojitet urgjentisht që partitë shqiptare, qoftë në pushtet dhe në opozitë, të angazhojnë ekspertë cilësor dhe të bëjnë analiza të mirëfillta të të gjitha modeleve zgjedhore, në mënyrë që mos të mbeten të zhgënjyer dhe të zënë në befasi, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër