Limani drejt largimit nga ministria, por jo domosdoshmërisht nga Qeveria

Nga R.ZH
1,670 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, mbetet në qendër të spekulimeve politike për të ardhmen e tij, në prag të rikonstruimit të paralajmëruar të Qeverisë në fund të muajit qershor.

Pas përkeqësimit të marrëdhënieve me drejtuesit e VLEN-it dhe mosangazhimit në strukturat e partisë së re të krijuar nga koalicioni, burime politike vlerësojnë se Limani me gjasë do të largohet nga posti aktual ministror. Megjithatë, sipas informacioneve jozyrtare, ekziston mundësia që ai të vazhdojë të mbetet pjesë e ekzekutivit në një funksion tjetër, shkruan Fokus.mk.

Sipas këtyre burimeve, Limani gëzon raporte të mira me kryeministrin Hristijan Mickoski, që datojnë që nga periudha kur të dy ishin pjesë e menaxhmentit të ESM-së. Për këtë arsye, në qarqe politike përmendet mundësia që ai të emërohet në një post zëvendëskryeministri gjatë rikonstruimit të kabinetit qeveritar.

Një nga opsionet e përfolura është që Limani të zërë vendin e Arben Fetait, i cili së fundmi dha dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë. Gjithashtu, në skenën politike qarkullojnë edhe spekulime se ai mund të emërohet në funksionin e zëvendëskryeministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.

Në anën tjetër, sipas burimeve partiake, edhe opozita shqiptare po ndjek me interes zhvillimet rreth Limanit. Burime nga BDI-ja thonë se po punohet për afrimin e tij me Aleancën për Shqiptarët të Arben Taravarit, me synimin që ai të bëhet pjesë e kampit opozitar shqiptar.

Megjithëse në BDI nuk ka disponim të madh për rikthimin e Limanit në radhët e partisë, për shkak të përplasjeve të mëparshme politike dhe kritikave të ndërsjella, vlerësohet se angazhimi i tij në opozitë mund të sjellë përfitime politike, duke pasur parasysh mbështetjen elektorale që ka dëshmuar në Kërçovë.

Fatmir Limani ishte një nga figurat e Lëvizjes BESA dhe u emërua ministër si përfaqësues i kësaj partie në kuadër të koalicionit VLEN. Distancimi i tij nga VLEN-i u bë më i dukshëm gjatë muajve të fundit, ndërsa pjesëmarrja e tij në një iftar në Tiranë me liderët opozitarë Ali Ahmeti dhe Arben Taravari u interpretua si sinjal i afrimit me opozitën shqiptare.

Deri më tani, Limani nuk ka bërë të ditur publikisht planet e tij politike, ndërsa nuk ka pasur përgjigje zyrtare as nga Arben Taravari lidhur me spekulimet për një bashkëpunim të mundshëm mes tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër