A gaboi Oda Ekonomike e MVP-së këtë vit me mediat shqipe?

Nga I.A
802 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 qershor, Zhurnal.mk – Jubileu i 20-vjetorit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) duhej të ishte një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që kontribuan në rrugëtimin e saj. Por, në vend të një atmosfere gjithëpërfshirëse, ky përvjetor u shënua me polemika me pakënaqësi që nuk ngelën në suaza të diskutimeve prapa perdeve por u bënë publike. Reagimi i gazetares së ekonomisë, Hatixhe Ismaili, nga “Radio Shkupi” nxori në pah një problem më të thellë qasjen selektive të Odës ndaj mediave shqipe, duke lënë jashtë pikërisht ata që e mbështetën kur askush tjetër nuk e bënte, shkruan Zhurnal.

Radio Shkupi kujtesa e një mbështetjeje të hershme

Hatixhe Ismaili kujtoi se në vitet e para, kur Oda sapo hidhte hapat e saj dhe shumë dyer ishin të mbyllura, Radio Shkupi ishte ndër të paktat media që i dha hapësirë, mbështetje dhe legjitimitet.

“Kur shumë dyer ishin të mbyllura për Odën, Radio Shkupi e mbajti derën gjithmonë të hapur,” theksoi ajo. Ky mesazh është shumë i qartë që nuk ndërlidhet me nostalgji, por një kujtesë dhe të vërtetë se institucionet nuk duhet të harrojnë aleatët e tyre të hershëm.

“Në kohën kur Oda po hidhte hapat e parë, shumë dyer ishin të mbyllura. Kishte media që nuk e mbështetën, madje edhe e kundërshtuan ekzistencën dhe misionin e saj. Në ato kohë, Radio Shkupi ishte ndër të paktat media që e mbajti derën gjithmonë të hapur. Pa hezitim, me profesionalizëm dhe përkushtim, ajo përcolli aktivitetet, iniciativat dhe sfidat e Odës, duke qenë pranë saj kur kjo mbështetje kishte më së shumti nevojë”, ka shkruar mes tjerash Ismaili në reagimin e saj kundër përzgjedhjes së mediave nga OEMVP.

OEVMP këtë vit ka anashkaluar edhe media të tjera

Problemi i përzgjedhjes së mediave nuk është vetëm me Radio Shkupin. OEMVP ka ndjekur një politikë katastrofale edhe ndaj mediave të tjera shqipe. Bashkëpunimi apo mirënjohja është dhënë për media shqipe por të kufizuara, duke lënë jashtë një pjesë të madhe të sistemit mediatik shqiptar. Kjo krijon perceptimin dhe hapësirën për të dyshuar se Oda nuk e sheh median si partner strategjik, por si instrument të përkohshëm për imazh dhe marketing.

Pse kjo politikë?

Arsyet e kësaj qasjeje nuk mund të jenë të rastësishme. Oda duket se zgjedh mediat që i japin një pasqyrë më të butë dhe më të favorshme, duke shmangur ato që mund të jenë kritike. Kjo mbase mund të mos jetë e saktë por që mban si arsye për faktin se ka ndodhur një përjashtim i disa mediave.

Historia dhe përvojat e së kaluarës dhe institucioneve e organizatave të tjera tregojnë që bashkëpunimi shpesh ndikohet nga lidhjet e biznesit dhe politikës, ku mediat e pavarura nuk kanë vend ose janë të padëshiruara.

E kur flasim për OEMVP-në veprimi i këtij viti tregon qartë që kemi të bëjmë me mungesën e strategjisë afatgjate, pra, nuk ka ndërtuar një politikë të qëndrueshme komunikimi me mediat shqipe.

Pasojat e një qasjeje të gabuar

Kjo politikë “ky medium bën e ky nuk bën” rrezikon të dëmtojë imazhin e OEMVP. Mediat që ndihen të injoruara nuk do të jenë më të gatshme të mbështesin iniciativat e saja dhe kjo natyrshëm që dëmton qëllimet e Odës dhe ndikon në humbjen e besimit në opinionin publik.

Dëm tjetër është se mungesa e një qasjeje gjithëpërfshirëse të mediave shqipe e bën Odën të duket e distancuar nga komuniteti shqiptar. E për këtë nuk ka nevojë as Oda e as udhëheqësit e saj, sepse një distancim i tillë pastaj shpërfaqet edhe te kompanitë e kështu me radhë.

E përveç këtyre dëmeve që ia shkakton vetes Oda, me këtë qasje katastrofale duke përjashtuar media të caktuara ndikon në krijimin e një përshtypjeje se kjo Odë nuk është e drejtë, e kur kemi të bëjmë me këtë percepcion publik pastaj vështirë është të përmirësohet imazhi. Fundja, mediat nuk kanë nevojë për shpërblime por mirënjohja është shenjë falënderimi dhe motivimi për të vazhduar me punë edhe më fuqishëm. E Oda këtë vit i tha disa mediave që fare mos të punojnë në dobi të tyre.

Kujtojmë që, OEMVP duhet të kuptojë se pa një politikë të hapur dhe gjithëpërfshirëse ndaj mediave, sidomos atyre shqipe që e kanë mbështetur në kohë të vështira imazhi i saj nuk do të jetë i plotë asnjëherë. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër