Ekskluzive / Shtetet e BE-së të ndara për gjendjen e reformave në Shqipëri në kapitujt thelbësorë (burimet)

Nga B.M
2,052 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 19 Maj, Zhurnal.mk – 27 shtete anëtare të BE-së ende po diskutojnë gjendjen e reformave nga institucionet shqiptare përpara se të arrijnë një qëndrim të përbashkët për fillimin e mbylljes së kapitujve të parë në negociatat e anëtarësimit, pas hapjes së 33-ve në nëntor të vitit të kaluar, raporton dtt-net.com, transmeton Zhurnal.mk.

Por në takimin e sotëm të përfaqësuesve të tyre nga Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE (COELA), “tre shtete anëtare nuk mundën ende të jepnin dritën e gjelbër”, sipas burimeve të një shteti anëtar në Bruksel, lidhur me bisedimet që po vazhdojnë për Raportin e Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (ang. IBAR) për Grupin 1 të kapitujve negociues, të quajtur ‘Bazat’ (ang. Fundamentals).

Grupi 1 përbëhet nga Kapitulli 5 (Prokurimi Publik); Kapitulli 18 (Statistikat); Kapitulli 23 (Gjyqësori dhe të drejtat themelore); Kapitulli 24 (Drejtësia, liria dhe siguria) dhe Kapitulli 32 (Kontrolli Financiar).

Burimet nuk dhanë detaje të mëtejshme, mbi emrat e vendeve dhe mosmarrëveshjet e sakta mbi gjendjen aktuale të reformave në pesë kapituj negociues, por thanë se 27 përfaqësuesit e shteteve anëtare nga grupi COELA do të takohen përsëri të premten (22 maj) për bisedime të mëtejshme.

Një burim i dytë konfirmoi mosmarrëveshjet dhe mungesën e dritës së gjelbër nga krejt vendete anëtare të BE-së tash për tash.

“Jo, jo ende, COELA nuk ka rënë dakord ende në këtë fazë. Vetëm pas marrëveshjes, dosja shkon te ambasadorët…”, tha burimi i dytë, duke i referuar me fjalën ‘ambasadorët” grupit më të lartë të njohur si COREPER.

Pesë kapitujt negociues të Grupit 1 janë të lidhur me gjendjen aktuale në sistemin gjyqësor të vendit, dhe diskutimet nga shtetet e BE-se po ndodhin në kohën kur tensionet e mëdha midis opozitës dhe qeverisë së Kryeministrit Edi Rama po vazhdojnë.

Përveç akuzave për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar, përvetësim të fondeve shtetërore dhe mashtrim zgjedhor, opozita akuzon gjithashtu Ramën për mbrojtjen e të të akuzuarës nga prokuroria speciale kundër krimit të organizuar(shqip-SPAK) ish-Zëvendëskryeministres dhe ish- Ministres së Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, për shkelje të dyshuara në dy tendera në sektorin e ndërtimit dhe hetime në vazhdim e sipër për disa të tjerë.

Pas presionit të fortë nga opozita dhe kritikave nga organet e BE-së dhe disa anëtarëve të Parlamentit Europian (PE), Rama pranoi ta shkarkonte Ballukun nga detyra këtë vit, por kryeministri ende refuzon që të përmbushë kërkesën e prokurorisë speciale për të hequr imunitetin e saj parlamentar të nevojshëm për arrestimin e saj.

Shqipëria tashmë i ka hapur të gjitha kapitujt negociues për anëtarësim në BE që kur i hapi kapitujt e parë në tetor 2024 dhe qeveria e saj shpreson për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. /// Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër