Ekspertët këshillojnë: Për ngrohje gjatë dimrit, kombinoni drurin e bungut dhe ahut, ja cili lloj mban më gjatë prushin

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 tetor Zhurnal.mk – Familjet që ngrohen me dru zjarri këshillohen që, në vend të përdorimit të vetëm një lloji, të kombinojnë dy lloje të ndryshme druri. Ekspertët rekomandojnë që qytetarët të zgjedhin drurin e bungut dhe të ahut. Përveç kësaj, është e rëndësishme që druri të jetë tharë mirë para se të përdoret gjatë sezonit të ngrohjes. Shumë familje në Maqedoninë e Veriut prej vitesh ngrohen me dru zjarri.

“Për ngrohje, druri duhet të pritet nga muaji nëntor, kur vegjetacioni është në fazën e pushimit, deri më 31 mars të vitit të ardhshëm. Më pas duhet të thahet gjatë gjithë vitit, përfshirë periudhën e verës, dhe të përdoret për ngrohje gjatë sezonit 2027–2028. Çdo lloj druri ka fuqi të ndryshme kalorifike, ndërsa fuqinë më të madhe e ka qarri i bardhë. Më pas vijnë ahu dhe bungu, por kjo varet edhe nga lloji i bungut. Më së miri është të përdoren dy lloje druri. Nëse njëri lloj digjet më shpejt, tjetri krijon dhe mban prushin”, thotë Marjan Partalloski, inxhinier i pylltarisë.

Qytetarët nuk janë shumë të informuar se cila është zgjidhja më e mirë, nëse duhet të përdorin një apo dy lloje druri për ngrohje.

“Unë nuk ngrohem me dru, por mendoj se të tjerët i përziejnë llojet e drurit, sepse disa prej tyre e mbajnë më gjatë prushin”, thotë Suzana Trajkovska, qytetare.

Bungu dhe ahu janë ndër llojet më të kërkuara të drurit për ngrohje.

“Ne blejmë dy lloje druri, ahu dhe bung. Druri i bungut e mban më gjatë prushin. Për mua është më mirë të përdoren dy lloje druri. Me klimë ngrohim vetëm një dhomë, ndërsa me dru e ngrohim tërë shtëpinë”, thotë Snezhana Antiç, qytetare.

Ka edhe qytetarë që dikur ngroheshin me dru, ndërsa sot shtëpitë i ngrohin me energji elektrike.

“Kur ngrohesha me dru, blija çfarëdo lloj druri që gjeja. Ndonjëherë merrja vetëm një lloj, ndërsa herë të tjera dru të përzier. Tani ngrohem me energji elektrike”, thotë një qytetare.

Siç ka publikuar më herët Enti Shtetëror i Statistikave, druri i zjarrit vazhdon të jetë burimi më i përdorur i energjisë për ngrohje. Ndër pajisjet elektrike, kondicionerët inverter dhe pompat termike veçohen si teknologji më efikase për ngrohje dhe ngrohje shtesë.

Sipas të dhënave nga Anketa për Konsumin e Energjisë në Amvisëri, në vitin 2024 sipërfaqja mesatare e banesave ishte 91,93 metra katrorë, ndërsa sipërfaqja mesatare që ngrohej ishte 49,99 metra katrorë. Numri mesatar i personave për amvisëri ishte 3,04.

Në strukturën e burimeve të energjisë që përdoren për ngrohje, pjesëmarrjen më të madhe e kishte druri i zjarrit, druri nga pemishtet dhe mbetjet e drurit, të paraqitura si një kategori e vetme, me 38,2 për qind. Pjesëmarrje të konsiderueshme kishte edhe energjia elektrike, me 24,6 për qind, ndërsa amvisëritë që përdorin dy ose më shumë burime energjie si mënyrë kryesore ngrohjeje përbënin 18,6 për qind.

artikuj të ndërlidhura