Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 5 nëntor në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan, ku një automjeti në pronësi të një shtetaseje iu vendos lëndë plasëse.
Në kuadër të operacionit të koduar “Porosia”, është ndaluar një 43-vjeçar nga Durrësi, ndërsa tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim policor.
I ndaluari është E. T., 43 vjeç, i cili dyshohet se ka siguruar automjetin e përdorur për realizimin e shpërthimit. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur O. E., 36 vjeç, M. A., 33 vjeç, banues në Elbasan, si dhe B. N., 17 vjeç, banues në Durrës.
Sipas hetimeve të policisë, katër personat dyshohet se kanë bashkëpunuar për organizimin dhe vendosjen e lëndës plasëse në automjetin në pronësi të shtetases A. D..
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të datës 5 nëntor, në lagjen “28 Nëntori”. Për dokumentimin e saj, hetuesit kanë administruar deklarime dhe kanë këqyrur pamjet filmike të kamerave të sigurisë.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në ngjarje.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
