Eleni Foureira rrëfen për herë të parë frikën që kishte nga origjina e saj shqiptare: Mendoja se do të më mbylleshin dyert

Nga D. V.
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Eleni Foureira, ka folur hapur për sfidat që përjetoi në fillimet e karrierës, duke zbuluar se për shumë vite kishte frikë ta bënte publike origjinën e saj nga Shqipëria.

Gjatë një interviste në emisionin “The 2Night Shoë”, artistja tregoi se ishte rritur me bindjen se zbulimi i prejardhjes së saj mund t’i kushtonte mundësitë për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në industrinë muzikore greke.

“Kur rritesh me këtë ndjenjë, frika bëhet pjesë e jotja. Mendoja se, nëse do të thosha se jam shqiptare, nuk do të trajtohesha njësoj si të tjerët dhe nuk do të më jepej e njëjta mundësi për të ecur përpara. Kështu e përjetoja realitetin në atë kohë”, u shpreh ajo.

 Foto: YouTube

Foureira ndau edhe kujtime të dhimbshme nga ajo periudhë, duke treguar se paragjykimet nuk e lëndonin vetëm atë, por edhe familjen e saj.

Ajo kujtoi se nëna e përqafonte shpesh mes lotësh, e tronditur nga komentet dhe sjellja me të cilën përballej vajza e saj.

“Mbaj mend që më përqafonte dhe qante, duke më thënë: ‘Vajza ime, çfarë të kanë bërë? Ti nuk ke bërë asgjë’”, rrëfeu këngëtarja.

Megjithatë, theksoi se mbështetja e njerëzve më të afërt dhe besimi te vetja e ndihmuan të mos hiqte dorë nga ëndrra e saj. Me kalimin e viteve, publiku e pranoi dhe e vlerësoi për talentin dhe punën e saj, pavarësisht origjinës.

– YouTube  www.youtube.com

Në intervistë, Foureira foli edhe për jetën personale, duke kujtuar mënyrën se si nisi historia e dashurisë me partnerin e saj, ish-futbollistin Alberto Botia.

Ajo tregoi se e kishte parë për herë të parë rreth dhjetë vjet më parë, kur ai, në atë kohë lojtar i Olympiacosit, kishte shkuar në lokalin ku ajo performonte pas një fitoreje të skuadrës.

“Kur e pashë, mendova: ‘Sa i pashëm është! Mos është aktor apo model?’. Nuk e dija fare kush ishte”, tha me humor.

Pak kohë më vonë, Botia i shkroi në Instagram për ta uruar për performancën. Bisedat mes tyre vazhduan, u takuan dhe lidhja e tyre nisi në mënyrë krejt natyrshme.

“Në nëntor mbushim 10 vjet bashkë”, zbuloi artistja.

Çifti janë prindër të një djali, Hermes, i cili erdhi në jetë në shkurt të vitit 2023, dhe vazhdojnë të konsiderohen si një nga çiftet më të dashura dhe më të ndjekura të showbiz-it grek. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër