Një debat i ashpër mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe atij të VV-së, Armend Baloku, ka shoqëruar mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt.
Përplasja mes dy deputetëve ka marrë edhe një kthesë interesante, kur Rrahmani ia ka përmendur Balokut angazhimin e tij në serialin humoristik “Fara e Flliqt”, duke iu referuar eksperiencës së tij në këtë projekt.
Gjithçka nisi pas kërkesës së Rrahmanit që eksperti i çështjes, Skender Kandiq, të deklarohej nëse kishte konflikt interesi, duke qenë se, sipas deputetit të PDK-së, ai kishte pasur edhe angazhim politik.
Pasi Baloku kundërshtoi nevojën për një deklarim të tillë, Rrahmani e akuzoi partinë në pushtet se po tentonte të fshihte të kaluarën politike të ekspertit. Në vazhdim, debati mes tyre u zhvendos në replika personale. “Kam përshtypjen se duhet të të marr si mentor”, i tha Baloku deputetit të PDK-së, pasi ky i fundit e akuzoi për aktrim.
Rrahmani iu përgjigj duke i thënë se do të ishte e rëndë për të që ta kishte mentor, për të vazhduar më pas me një tjetër kundërpërgjigje.
Kur Baloku e akuzoi për mungesë kulture dhe tha se nuk kishte vizituar asnjëherë ndonjë institucion kulturor në vend, Rrahmani ia përmendi eksperiencën në serialin humoristik. “Sa të ka njerëz si ju… sa je ka në gjendje që emrin e aktivitetit ia ka vendos ‘Fara e Flliqt’. Çka me të thanë tjetër?”, deklaroi Rrahmani.
Kjo replikë iu referua serialit humoristik “Fara e Flliqt”, në të cilin Armend Baloku ka qenë pjesë si aktor. Debati u ndërpre pas ndërhyrjes së kryetarit të Komisionit, Burim Ramadani, i cili kërkoi që diskutimi të vazhdonte në mënyrë më të rregullt.
Ndryshe, mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar ka nisur procesin e intervistimit të dëshmitarëve lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, ku në mesin e zyrtarëve që pritet të intervistohen është edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

