Filipçe e refuzoi ofertën edhe para se të mbërrinte ftesa për takim liderësh, Mickoski i përgjigjet se opozita është e papjekur

Nga admin
656 e lexuar

Shkup, 8 janar – Kryeministri Hristijan Mickoski propozon që takimi i liderëve të mbahet më 14 janar, ndërsa kreu i opozitës, Venko Filipçe, vlerëson se nuk ka nevojë për një takim të tillë. Siç theksoi Mickoski në deklaratat e tij, përveç heqjes së Qeverisë teknike, në tryezë do të ishte edhe diskutimi për ligjet reformuese të domosdoshme për agjendën reformuese, për Avokatin e Popullit që ende pret shumicën prej dy të tretash në Kuvend, si dhe tema të tjera për të cilat liderët e partive mund të diskutojnë së bashku.

Edhe pse lideri i opozitës Filipçe sot u shpreh se nuk sheh nevojë për një takim të tillë, Mickoski e vlerësoi këtë qëndrim si jo serioz, duke theksuar edhe një herë se në ditët në vijim do t’u dërgohen ftesa liderëve të partive parlamentare.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, vendimin për të mos marrë pjesë në takimin e liderëve e arsyetoi me faktin se, sipas tij, nuk ka nevojë për ndryshime në Ligjin për Qeverinë, respektivisht nuk sheh arsye për shfuqizimin e Qeverisë teknike. Ai akuzoi gjithashtu se qeveria aktuale ka uzurpuar gjithçka dhe, siç u shpreh, ka vënë dorë mbi të gjitha sferat shoqërore.

Partneri qeveritar VLEN e përshëndeti iniciativën e kryeministrit dhe deklaroi se do ta presë ftesën për të marrë më pas një vendim.

“E përshëndesim iniciativën e kryeministrit për takim liderësh. VLEN është gjithmonë e hapur për takime që synojnë funksionimin e institucioneve dhe gjetjen e zgjidhjeve në interes të qytetarëve. Çdo ftesë apo iniciativë që vjen në adresën tonë do të shqyrtohet me përgjegjësi dhe publiku do të njoftohet me kohë,” thuhet në reagimin e tyre.

Nga ana tjetër, BDI për momentin nuk ka një qëndrim konkret nëse do të marrë pjesë në takim, duke deklaruar shkurt se do të presin të mbërrijë ftesa dhe më pas do të vendosin.

Qëllimi i takimit të liderëve, siç sqaroi kryeministri Mickoski, është arritja e konsensusit për të gjitha çështjet kyçe. Ai theksoi se modeli për heqjen e Qeverisë së Przhinos mund të realizohet edhe me 61 deputetë, por sipas tij është e rëndësishme që theksi të vihet te ligjet reformuese dhe të hapet një diskutim i veçantë në një nivel më të lartë politik – në nivel liderësh partie.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër