Manola, 20 prill, Zhurnal.mk – Filipinet dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën sot manovrat e përvitshme të përbashkëta ushtarake, me pjesëmarrjen e më shumë se 17 000 trupave në ushtrime me zjarr të vërtetë, në një sulm detar të simuluar dhe manovra të integruara ajrore.
Trupa nga Japonia, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re dhe Franca po marrin gjithashtu pjesë në stërvitjet 19-ditore “Balikatan”, të fokusuara kryesisht në mbrojtjen territoriale.
Japonia merr pjesë për herë të parë në manovrat “Balikatan” – (një fjalë në gjuhën tagaloge që do të thotë “sup më sup”).
Në të kaluarën, përfshirja e Tokios ishte e kufizuar në ndihmë humanitare dhe reagim ndaj fatkeqësive natyrore.
“Këtë vit, njësitë japoneze pritet të lëshojnë raketa drejt një anijeje të çaktivizuar gjatë një ushtrimi të simuluar të sulmit detar, ndër shumë aktivitete të tjera”, sipas një zëdhënësi të ushtrisë filipinase.
Agjencia e lajmeve “Kyodo News” raportoi se Japonia po dërgon kontingjentin e saj më të madh ndonjëherë – rreth 1 400 efektivë – si dhe tre anije dhe dy avionë.
Gjenerali Romeo Brawner, shefi i shtabit të Forcave të Armatosura të Filipineve, deklaroi se “Balikatan” rikonfirmon forcën e aleancës së sigurisë mes Manilës dhe Uashingtonit – në përpjekjet për një rajon të sigurt në Azi-Paqësor.
“Ne mbetemi të udhëhequr nga angazhimi i përbashkët për të respektuar të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin dhe për të kontribuar në një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, ku vendet mund të zhvillohen pa detyrim”, tha ai në ceremoninë hapëse.
SHBA-ja e përshkroi “Balikatan” si një demonstrim të fuqishëm” të angazhimit të saj të hekurt” ndaj aleancës me Filipinet.
Sipas një gjenerali amerikan, manovrat – që zhvillohen që nga viti 1991 – synojnë forcimin e kapaciteteve të përbashkëta përmes sistemeve të avancuara dhe rritjen e gatishmërisë.
Kërcënimi nga Kina
Manovrat po zhvillohen kryesisht në ishullin verior të Luzon, përfshirë provincat pranë Detit të Kinës Jugore dhe Ngushticës së Tajvanit, dhe pritet të zgjasin deri më 8 maj.
Kina e konsideron Tajvani si pjesë të territorit të saj, megjithëse ishulli ka një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe funksionon si entitet i pavarur që prej vitit 1949.
Pekini ka kërcënuar vazhdimisht se mund ta marrë nën kontroll me forcë, nëse është e nevojshme.
Po ashtu, në Detin e Kinës Jugore ndodhin shpesh incidente, pasi Pekini pretendon pjesën më të madhe të këtij rajoni të pasur me burime, pavarësisht një vendimi ndërkombëtar arbitrazhi që i ka hedhur poshtë këto pretendime.
Kina deklaroi sot se rajoni Azi-Paqësor nuk ka nevojë për përfshirjen e forcave të jashtme që nxisin përçarje dhe përballje.
“Bashkëpunimi ushtarak në fushën e sigurisë nuk duhet të prishë paqen dhe stabilitetin në rajon apo të cenojë interesat e palëve të treta”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun.
“Dëshirojmë t’u kujtojmë shteteve përkatëse se lidhja e verbër e sigurisë mes tyre do të kthehet në bumerang dhe do t’u sjellë probleme vetë atyre”, shtoi ai.
