Pas Amir Rrahmanit, nga Kombëtarja e Kosovës është larguar përkohësisht edhe Florent Hadërgjonaj.
Si Rrahmani, ashtu edhe Hadërgjonaj, kanë bërë të qartë se vendimi i tyre nuk përbën pensionim nga Kombëtarja, por një tërheqje të përkohshme, të lidhur me situatën aktuale.
Futbollisti ka bërë të ditur edhe arsyen e tërheqjes.
“Pas shumë mendimi, kam marrë vendimin që, për momentin, të mos jem më në dispozicion të Kombëtares së Kosovës nën drejtimin e stafit aktual teknik.
Ky nuk ka qenë një vendim i lehtë. Prej shtatë vitesh e gjysmë kam qenë pjesë e kësaj Kombëtareje dhe ta përfaqësoj Kosovën ka qenë dhe mbetet një nga nderet më të mëdha të karrierës sime. Jam krenar për çdo paraqitje dhe për gjithçka që kam dhënë për këtë fanellë.
Gjatë dy viteve e gjysmë të fundit kam zgjedhur të mos flas publikisht, por të vazhdoj punën time dhe të përgjigjem me paraqitjet e mia në klub. Besoj se forma dhe paraqitjet e mia flasin vetë.
Megjithatë, me kalimin e kohës është bërë e qartë për mua se me trajnerin aktual nuk ekziston më baza e nevojshme e respektit të ndërsjellë dhe besimit për të vazhduar një bashkëpunim profesional. Për këtë arsye, kam arritur në një pikë ku duhet të vendos një kufi.
Dua ta bëj të qartë: ky nuk është tërheqje nga Kombëtarja dhe nuk është një vendim kundër Kosovës. Vendimi im lidhet vetëm me situatën aktuale dhe raportin tim me stafin teknik.
Për Kosovën do të jem gjithmonë krenar dhe i gatshëm të jap gjithçka, kur të ekzistojnë përsëri kushtet e duhura.
Bashkëlojtarëve të mi dhe Kombëtares i dëshiroj nga zemra çdo sukses”, ka shkruar Hadërgjonaj.
