FMN: Arabia Saudite drejt tkurrjes ekonomike për shkak të luftës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Riad, 13 tetor, Zhurnal.mk – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që ekonomia e Arabisë Saudite të tkurret me 3,3 për qind gjatë këtij viti, për shkak të ndikimit të luftës në Lindjen e Mesme, bllokimit të Ngushticës së Hormuzit dhe sulmeve të rebelëve Houthi nga Jemeni.

Arabia Saudite, eksportuesja më e madhe e naftës në botë, po përballet me vështirësi të shtuara ekonomike dhe të sigurisë.

Sipas raportit të fundit të FMN-së, ekonomia e vendit pritet të ndikohet ndjeshëm nga ndërprerjet e transportit detar dhe kufizimet në eksportin e hidrokarbureve.

Ngushtica e Hormuzit, një korridor jetik për transportin e naftës dhe gazit, është përfshirë në konflikt që nga shkurti, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli sulmuan Iranin.

Teherani ka kërkuar të ushtrojë kontroll mbi kalimin e anijeve, ndërsa Uashingtoni ka vendosur masa bllokuese ndaj porteve iraniane.

Situata është përkeqësuar edhe nga rifillimi, në korrik, i luftimeve në Jemen.

Rebelët Houthi kanë goditur objektiva saudite, përfshirë instalime nafte, cisterna në Detin e Kuq dhe qendra transporti.

Sulmet kanë prekur edhe aeroportin ndërkombëtar të Riadit, ndërsa shpërthime u raportuan sërish dje në mbrëmje. Sipas autoriteteve saudite, një raketë e lëshuar nga Houthit u interceptua.

Sulmi i së shtunës, ku humbën jetën 13 persona, ishte më vdekjeprurësi në Arabinë Saudite në më shumë se një dekadë.

Pas ngjarjes, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se po shqyrtonte mundësinë e përfshirjes së SHBA-së në sulmet saudite kundër Houthive.

Nga ana tjetër, rebelët paralajmëruan se çdo ndërhyrje amerikane do të sillte sulme ndaj interesave të Uashingtonit në rajon.

FMN-ja parashikon se ekonomia e Lindjes së Mesme do të tkurret me 0,3 për qind këtë vit, një ndryshim i ndjeshëm nga parashikimi i mëparshëm për rritje prej 1,9 për qind.

Megjithatë, institucioni pret një rimëkëmbje në vitin 2027, nëse Ngushtica e Hormuzit rihapet dhe transporti detar normalizohet.

Arabia Saudite ka arritur të kufizojë pjesërisht ndikimin e krizës falë rrugëve alternative të eksportit.

Vendi përdor një naftësjellës që lidh lindjen e tij me bregdetin e Detit të Kuq, duke anashkaluar Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, ky avantazh është vënë në pikëpyetje pasi naftësjellësi u mbyll përkohësisht në shtator, pas sulmeve që iu atribuuan grupeve të mbështetura nga Irani në Irak.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër