Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka komentuar vendimin e Amir Rrahmanit për t’u tërhequr nga ekipi përfaqësues, duke mohuar se edhe futbollistë të tjerë kanë në plan ta bojkotojnë Kombëtaren.
Foda ka treguar se është njoftuar personalisht nga kapiteni për vendimin e tij, të cilin Rrahmani e lidhi me vazhdimin e udhëheqjes së Federatës së Futbollit të Kosovës nga personat aktualë.
“Gjithçka është shumë emocionale në Kosovë. Fakti është se Amir Rrahamani ka dhënë dorëheqjen. Ai më informoi personalisht për këtë”.
“Por të gjithë lojtarët që janë në formë dhe që do t’i ftoj do të jenë atje të hënën dhe do të përgatiten për ndeshjet së bashku me mua”, ka thënë Foda në CANAL+, gjatë ndeshjes së Ligës së Evropës mes Sturm Grazit dhe Rennesit.
Deklarata e përzgjedhësit u raportua të enjten nga mediumi austriak Laola1.
Foda ka hedhur poshtë pretendimet se vendimi i Rrahmanit mund të pasohet nga largime të tjera nga Kombëtarja.
“Ka shumë dramë që po ekzagjerohet. Ideja se edhe më shumë lojtarë duan të bojkotojnë ekipin kombëtar nuk është e vërtetë”, ka theksuar ai.
Kështu, Foda ka bërë të ditur se pret që futbollistët e ftuar të paraqiten të hënën dhe të nisin përgatitjet për ndeshjet e radhës, pavarësisht vendimit të Rrahmanit për t’u tërhequr nga Kosova.
