FSSH paralajmëron kontrolle të shtuara: Pacientët nuk duhet të paguajnë për shërbimet e mbuluara nga sigurimi

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Institucionet shëndetësore që kanë marrëveshje me Fondin për Sigurim Shëndetësor (FSSH) do të jenë nën mbikëqyrje të shtuar, me qëllim që të verifikohet nëse respektojnë rregullat për tarifimin e shërbimeve mjekësore dhe nëse u kërkojnë pacientëve pagesa të pajustifikuara.

Në fokus të kontrolleve do të jetë veçanërisht tarifimi i dyfishtë, përkatësisht rastet kur një institucion shëndetësor merr pagesë nga Fondi për një shërbim të caktuar, por për të njëjtin shërbim kërkon pagesë edhe nga pacienti.

Nga FSSH sqarojnë se të siguruarit nuk janë të obliguar të paguajnë shuma shtesë për shërbimet që mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor. Përjashtim bën vetëm bashkëpagesa e përcaktuar me ligj, kur ajo parashihet për shërbimin përkatës. Ky rregull vlen për të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor: parësor, dytësor dhe tretësor.

Gjatë kontrolleve do të verifikohet nëse shërbimet për të cilat është bërë faturimi janë ofruar realisht, nëse janë evidentuar saktë dhe nëse shumat e kërkuara nga pacientët përputhen me bashkëpagesën e përcaktuar me ligj.

Fondi rikujton se institucionet shëndetësore kanë detyrim t’i publikojnë çmimet e bashkëpagesës në vende të dukshme dhe lehtësisht të qasshme, si dhe të lëshojnë dëshmi ligjore për çdo pagesë të kryer.

Ndërkaq, pacientët kanë të drejtë të informohen se cilat shërbime mbulohen nga sigurimi shëndetësor dhe në cilat raste parashihet pagesë shtesë.

Në rast se konstatohen parregullsi, FSSH paralajmëron marrjen e masave në përputhje me detyrimet kontraktuale dhe rregulloret në fuqi.

Qytetarët që dyshojnë se u është kërkuar pagesë për një shërbim që mbulohet nga Fondi, mund ta paraqesin rastin në Sektorin e Kontrollit të FSSH-së.

artikuj të ndërlidhura