Shkup, 14 maj – Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka vizituar sot nga afër punimet që po zhvillohen në rrugën “Mehmet Gega” në lagjen Fushë Tophanë, ku po zëvendësohet rrjeti i kanalizimit.
Sipas Ganiut, ky investim është përgjigje ndaj një kërkese të kahershme dhe të përsëritur të banorëve të kësaj zone. Ai theksoi se Komuna e Çairit është e përkushtuar që të jetë pranë qytetarëve në çdo sfidë të përditshme, pavarësisht nëse çështjet qëndrojnë brenda apo jashtë kompetencave të saj të drejtpërdrejta.
“Komuna e Çairit vazhdon të qëndrojë pranë qytetarëve për zgjidhjen e çdo problemi të përditshëm. Bashkë do t’i japim zgjidhje çdo nevoje reale”, u shpreh Ganiu.
Punimet në këtë rrugë pritet të përmirësojnë ndjeshëm infrastrukturën dhe cilësinë e jetës për banorët e lagjes, të cilët për një kohë të gjatë janë përballur me vështirësi të natyrës higjienike dhe teknike për shkak të amortizimit të kanalizimit ekzistues.

