Shkup, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Institucionet duhet të jenë në shërbim të qytetarëve e jo të politikës apo individëve. Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në Konferencën e katërt vjetore të Forumit të Gjykatave Kushtetuese Ballkanike që po mbahet në Ohër.
“Qytetarët duhet të jenë të bindur se institucionet ekzistojnë për t’i mbrojtur të drejtat e tyre, e jo t’u shërbejnë çfarëdo interesave politike apo individuale, prandaj përgjegjësia jonë e përbashkët është të kontribuojmë për krijimin e kulturës institucionale, ku drejtësia do të ketë përparësi para fuqisë politike, ndërsa interesi publik para çdo interesi tjetër.”, – deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Kostadinovski: Sfidë e Gjykatave Kushtetuese, ruajtja e pavarësisë
Për kreun e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, Gjykatat Kushtetuese përballen me sfidën për ruajtjen e pavarësisë në punën e tyre.
“Jemi dëshmitarë të dobësimit të roleve të kuvendeve, pushtete ekzekutive gjithnjë e më të fuqishme, paraqitje të erozionit demokratik dhe tendencave autoritare, të cilat edhe pse formalisht zhvillohen në kuadër të institucioneve demokratike, në esencë i groposin vlerat demokratike. Njëkohësisht Gjykatat Kushtetuese përballen me sfidën për ta mbrojtur pavarësinë e tyre dhe nga akuzat për aktivizëm gjyqësor të tepruar.”, – theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.

