Shkup, 29 prill, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në promovimin e “Librit të Bardhë”, në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të EVN Maqedoni, ku ka vënë theksin te zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit energjetik dhe rëndësia e një kornize moderne ligjore për investime dhe tranzicion energjetik, përcjell Zhurnal.mk.
Në fjalën e tij, Gashi theksoi përkushtimin e Kuvendit për mbështetjen e politikave që nxisin investime të përgjegjshme, inovacion dhe kalimin drejt burimeve të pastra të energjisë, duke e cilësuar këtë si pjesë të rëndësishme të zhvillimit afatgjatë të vendit.
Ai nënvizoi se sektori energjetik kërkon qasje strategjike dhe institucione të përkushtuara për të krijuar politika të qëndrueshme që forcojnë sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik.
Me rastin e jubileut të EVN Maqedoni, kryeparlamentari uroi kompaninë për arritjet e deritanishme dhe suksese të mëtejshme, duke potencuar se zhvillimi i qëndrueshëm dhe besimi i qytetarëve ndërtohen mbi parime të përgjegjësisë, etikës dhe integritetit.
Promovimi i “Librit të Bardhë” u zhvillua në kuadër të 20-vjetorit të EVN Maqedoni, si një moment reflektimi mbi zhvillimin e sektorit energjetik dhe sfidat e tranzicionit energjetik në të ardhmen.
