Gashi uron Ditën e Gjuhës Maqedonase: Përfaqëson njërën ndër shtyllat mbi të cilat ndërtohet shteti ynë i përbashkët

Nga D. V.
390 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 05 Maj, Zhurnal.mk – Me rastin e 5 Majit, Ditës së Gjuhës Maqedonase, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi ka uruar qytetarët maqedonas duke thënë se maqedonishtja përfaqëson njërën ndër shtyllat mbi të cilat ndërtohet shteti dhe është edhe mjeti i funksionimit institucional dhe komunikimit zyrtar në vendin tonë. Siç tha Gashi, maqedonishtja e ka dhënë provimin për të qenë një gjuhë e zhvilluar e letërsisë, arsimit, shkencës dhe kulturës ndërkohë shtoi se Kuvendi mbetet i përkushtuar ndaj avancimit të standardeve institucionale dhe zbatimit të praktikave që garantojnë komunikim të qartë.

“Të nderuar bashkëqytetarë maqedonas,

Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal ju shpreh urimet e mia më të sinqerta me rastin e Ditës së Gjuhës Maqedonase.

Gjuha maqedonase përfaqëson njërën ndër shtyllat mbi të cilat ndërtohet shteti ynë i përbashkët. Përtej mundësisë së komunikimit, maqedonishtja është edhe mjeti i funksionimit institucional dhe komunikimit zyrtar në vendin tonë.

Si një gjuhë më vete në grupin e gjuhëve sllave të jugut, maqedonishtja e ka dhënë provimin për të qenë një gjuhë e zhvilluar e letërsisë, arsimit, shkencës dhe kulturës. Përveç kësaj, duke qenë pjesë e Lidhjes Gjuhësore Ballkanike, gjuha maqedonase, bashkë me shqipen dhe gjuhët e tjera në kontakt, kanë krijuar tipare unike për të ndërtuar edhe një disiplinë të re gjuhësore, siç është gjuhësia ballkanike.

Në një shoqëri multietnike si e jona, respekti për gjuhët dhe kulturat e të gjitha komuniteteve është themel i kohezionit dhe bashkëjetesës. Promovimi i gjuhës maqedonase ec paralelisht me përkushtimin tonë për të garantuar të drejtat gjuhësore të çdo qytetari, duke ndërtuar ura mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë.

Kuvendi mbetet i përkushtuar ndaj avancimit të standardeve institucionale dhe zbatimit të praktikave që garantojnë komunikim të qartë, efikas dhe të përgjegjshëm.

Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për ta ruajtur, pasuruar dhe promovuar gjuhën maqedonase, si dhe për ta forcuar unitetin dhe harmoninë në vendin tonë”, ka shkruar Gashi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër