Gaz lotsjellës ndaj protestës së mësuesve, rriten tensionet përpara Kupës së Botës

Nga D. V.
521 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Meksiko Siti, 02 qershor, Zhurnal.mk – Mësuesit kanë marshuar dje në Meksiko Siti, duke kërkuar paga dhe pensione më të mira, dhe paralajmëruar për protesta të mëtejshme përpara Kupës së Botës FIFA 2026, raportoi “The Guardian”.

Policia e trazirave në Meksiko Siti ka përdorur gaz lotsjellës ndaj mësuesve protestues që po marshonin drejt sheshit historik “Zocalo”, vetëm disa ditë para “Fan Fest”-it të Kupës së Botës FIFA 2026.

Incidenti është përplasja e dytë mes policisë dhe mësuesve brenda një jave, ndërsa tensionet pritet të rriten, pasi qyteti po përgatitet për ndeshjen hapëse më 11 qershor.

Mësues, të lidhur me sindikatën CNTE, po protestonin për rritjen e pagave dhe shfuqizimin e reformave të pensioneve.

Protestuesit nisen marshimin drejt sheshit “Zocalo”, kur u ndaluan nga forcat e rendit.

Mësuesit, të cilët kërkojnë rritje pagash dhe anulimin e reformave të pensioneve, kanë paralajmëruar protesta që nga mesi i majit, gjatë një marshimi për Ditën e Mësuesit.

“Nëse kërkesat nuk plotësohen para ndeshjes hapëse, “loja nuk do të fillojë”, paralajmëroi sekretari i përgjithshëm i CNTE-së, në Meksiko Siti, Pedro Hernandez Morales.

Protestuesit arritën të thyenin dje, një nga barrierat metalike që rrethojnë sheshin “Zocalo”, përpara se policia të përdorte gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Më 26 maj, “Mexico News Daily” raportoi se policia kishte bllokuar hyrjen e mësuesve në Oaxaca, të cilët tentuan të ngrinin një kamp proteste në shesh.

Gazetari i “Azteca News”, Manuel Lopez San Martin, publikoi në rrjetet sociale, pamje ku policia përdorte fikëse zjarri për të shpërndarë protestuesit.

Në një deklaratë të përbashkët, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Brendshme thanë se sindikata ishte njoftuar se grumbullimi në sheshin historik, ishte i rrezikshëm për shkak të punimeve që po zhvillohen.

Sindikatat kanë kërcënuar se do të mobilizojnë “miliona” mësues në kryeqytet, gjatë Kupës së Botës, nëse qeveria nuk plotësonte kërkesat e tyre, dhe se nuk përjashtohej mundësia e një greve mbarëkombëtare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër