GJERMANI – Pesë të arrestuar me dyshimin për eksporte të paligjshme drejt kompanive ushtarake ruse

nga D. V.

Pesë persona janë arrestuar sot në Gjermani, të dyshuar për eksportime të fshehta mallrash drejt Rusisë, përfshirë kompani të industrisë së armatimit, duke shkelur sanksionet evropiane ndaj Moskës, njoftoi drejtësia gjermane.

Sipas një deklarate të Prokurorisë Federale në Karlsruhe, të dyshuarit kanë arritur të dërgojnë të paktën 16 000 dërgesa drejt Rusisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, me një vlerë totale rreth 30 milionë euro.

Prokurorët thanë se rrjeti i furnizimit me shumë gjasë ishte i menaxhuar nga agjenci shtetërore ruse, ndërsa mes përfituesve ishin të paktën 24 kompani armësh të renditura në bursë në Rusi.

Nuk u dhanë detaje mbi përmbajtjen e dërgesave.

Hetimi u zhvillua nga doganat gjermane në bashkëpunim me shërbimin e jashtëm sekret, BND.

Nga pesë të dyshuarit, të gjithë shtetas gjermanë, dy kanë gjithashtu shtetësi ruse, ndërsa njëri shtetësi ukrainase.

Prokuroria i dyshon ata si anëtarë të një rrjeti kriminal që kanë kryer operacione eksporti në shkelje të ligjit për tregtinë e jashtme.

Përmes një kompanie tregtare në qytetin portual të Lubeckut, ata dyshohet se kanë siguruar në mënyrë të paligjshme mallra për industrinë ruse dhe i kanë eksportuar drejt Rusisë.

Për të mos rënë në sy, sipas hetuesve, janë përdorur të paktën një kompani guaskë, blerës fiktivë si dhe një kompani ruse pritëse, ku një nga të dyshuarit ishte pjesë e drejtimit.

Hetimi përfshin edhe pesë të dyshuar të tjerë, të cilët aktualisht janë në liri.

Sanksionet e ashpra ekonomike të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë përfshijnë ndalimin e eksportit të mallrave të caktuara, veçanërisht pajisje ushtarake dhe produkte me përdorim të dyfishtë, civil dhe ushtarak.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More