Gjorgjievski dhe Gulam: Kontestet dypalëshe nuk guxojnë ta pengojnë rrugën e Maqedonisë drejt BE-së

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Kontestet dypalëshe nuk duhet të jenë pengesë për përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, ndërsa përvoja e Kroacisë në marrëdhëniet me Malin e Zi duhet të shërbejë si shembull për tejkalimin e bllokadave në procesin e zgjerimit, porositën sot kryetari i BNJVL-së, Orce Gjorgjievski, dhe kryetari i komunës kroate Pirovac dhe bashkëkryesues i Komitetit të Përbashkët Konsultativ ndërmjet Maqedonisë dhe BE-së, Ivan Gulam.

Pas mbledhjes së 26-të të Komitetit të Përbashkët Konsultativ, Gjorgjievski vlerësoi se bllokadat shumëvjeçare e pengojnë zhvillimin e shtetit dhe ua pamundësojnë qytetarëve qasjen në fondet evropiane.

“Sot po mbahet mbledhja e 26-të e Komitetit të Përbashkët Konsultativ ndërmjet shtetit tonë dhe Bashkimit Evropian, ku marrin pjesë edhe përfaqësues të komunave nga vendet anëtare… Detyra jonë si vetëqeverisje lokale është ta afrojmë Bashkimin Evropian te qytetarët. Kjo do të thotë t’u mundësojmë atyre të jetojnë në kushte të ngjashme ose të njëjta me qytetarët në vendet anëtare të BE-së dhe komunat e tyre, të kenë çerdhe, shkolla, infrastrukturë rrugore dhe nëntokësore të rregulluar, sipas standardeve që i kanë miqtë tanë evropianë”, tha Gjorgjievski.

Ai bëri thirrje që modeli pozitiv kroat në marrëdhëniet me Malin e Zi të zbatohet edhe në raport me Bullgarinë.

“Bëj apel që shembulli dhe praktika që Kroacia i ka vendosur në marrëdhëniet me Malin e Zi të zbatohen edhe në rastin e shtetit tonë, Maqedonisë. Historinë duhet t’ua lëmë historianëve, ndërsa ne si politikanë duhet të merremi ekskluzivisht me reformat dhe përparimin e shtetit tonë”, nënvizoi Gjorgjievski.

Duke u ndalur te përgatitjet për “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”, ai njoftoi se mjetet nga Qeveria dhe Qyteti i Shkupit tashmë janë transferuar te Fondacioni dhe paralajmëroi rindërtimin e Sallës Universale, Kalasë së Shkupit, Ujësjellësit (Akueduktit) dhe Postës së Vjetër.

“Titullin Kryeqyteti Evropian i Kulturës duhet ta shohim nga dy aspekte. I pari është të prezantohemi sa më mirë dhe aspekti i dytë është trashëgimia që duhet të dalë nga i gjithë procesi… Këtë proces nuk e realizojmë vetëm, ekipet tona komunikojnë vazhdimisht me kryetarët e qyteteve që tashmë kanë përvojë të tillë. I kemi përcaktuar tashmë lokacionet që do të jenë skena për ngjarjet e ndryshme. Salla Universale po ndërtohet dhe afati për përfundimin e punimeve është fundi i vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër, e kemi Kalanë e Shkupit, Akueduktin që për më shumë se 30 vjet është lënë pas dore dhe ndodhet në gjendje jo të lakmueshme… Posta e Vjetër është një nga lokacionet ku planifikohet organizimi i paraqitjeve artistike. Këtu është edhe Keji, i cili do të përfshihet tërësisht në program, pasi gjatë 365 ditëve do të mbahen paraqitje dhe aktivitete të ndryshme”, theksoi Gjorgjievski.

Bashkëkryesuesi nga Kroacia, Ivan Gulam, theksoi se çështjet dypalëshe nuk guxojnë ta bllokojnë në mënyrë të përhershme procesin eurointegrues.

“Ashtu siç e theksuam disa herë gjatë diskutimit të sotëm, çështjet dypalëshe nuk duhet ta bllokojnë në mënyrë të përhershme procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, porositi Gulam, duke shtuar se reformat zbatohen për cilësi më të mirë të jetës së qytetarëve.

“Dëshiroj t’ju porosis të mbeteni këmbëngulës në rrugën e reformave. Jo sepse këtë e kërkon Brukseli, por sepse reformat në afat të gjatë me siguri do t’u sjellin shumë përfitime dhe cilësi më të mirë të jetës qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, theksoi Gulam.

Lidhur me praktikën nga negociatat kroate, ai sqaroi se çështjet nga e kaluara nuk duhet ta ndalin procesin e anëtarësimit.

“Në negociatat me Malin e Zi, Republika e Kroacisë mbajti qëndrimin se kontestet dypalëshe duhet të zgjidhen, por se nuk duhet të bllokohet procesi i anëtarësimit. Ne duam t’i zgjidhim çështjet që burojnë nga e kaluara, por nuk duam ta ndryshojmë historinë e askujt. Nuk duam të mbajmë një qëndrim sipas të cilit, nëse nuk plotësohen kushtet që i vendos Republika e Kroacisë, nuk do të ketë anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksoi Gulam.

artikuj të ndërlidhura