Shkup, 19 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski reagoi pas konferencës për shtyp të opozitës, lidhur me spërkatjen kundër mushkonjave.
“Vetëm para disa ditësh pamë çfarë do të thotë plasimi i papërgjegjshëm i informacioneve, kur u krijua frikë e panevojshme rreth sigurisë së ujit në Shkup. Sot përsëri shohim përpjekje që një temë serioze shëndetësore të shndërrohet në përplasje ditë‑politike.
Të jemi të qartë, ethet e Nilit Perëndimor nuk janë virus i ri dhe nuk janë problem që ekziston vetëm në Shkup ose në Maqedoni. Sipas raportit të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, raste të fituara lokalisht janë regjistruar në disa vende evropiane.
Në fqinjësinë tonë të afërt ka raste në Greqi dhe Serbi, si dhe në Kosovë. Organizata Botërore e Shëndetësisë qartë thekson se virusi i Nilit Perëndimor prej kohësh qarkullon në Evropë. Prandaj, qytetarëve u detyrohemi informacione dhe parandalim, e jo histeri politike”, tha kryetari.
“E kur tashmë SDSM hap temë për atë se kush, kur dhe sa ka spërkatur kundër mushkonjave, mirë është ta freskojmë kujtesën me datat. Në vitin 2018, kur me Qytetin e Shkupit udhëhiqte atëherë pushteti i SDSM, dezinfektimi i parë tokësor kundër mushkonjave filloi vetëm më 3 korrik dhe zgjati deri më 7 korrik, ndërsa spërkatja e parë ajrore u organizua më 7 dhe 8 korrik. Praktikisht, aktivitetet e para serioze filluan thellë në sezonin veror. Në vitin 2026, ndërkaq, aktivitetet filluan që më 7 maj.
Të gjitha aktivitetet realizohen sipas programit vjetor, detyrimeve ligjore dhe elaboratit të Qendrës për Shëndet Publik – Shkup, si dhe rekomandimeve nga Ministria e Shëndetësisë dhe rregullativa evropiane. Këto janë faktet. Shëndeti publik nuk mbrohet me konferenca për shtyp. Nuk mbrohet me krijimin e frikës. Nuk mbrohet me sensacione politike. Mbrohet me punë sistematike, parandalim të vazhdueshëm, rekomandime profesionale dhe aktivitete të kohshme në terren.
Prandaj, në vend të garës se kush do të prodhojë panik më të madh, pres nga të gjitha subjektet politike minimum përgjegjësi kur flasin për shëndetin e njerëzve. Dhe me të vërtetë më çudit mungesa e fytyrës tek njerëz që në rrethana të paqarta janë gjetur në politikë.
Qyteti i Shkupit do të vazhdojë me trajtimet sipas rekomandimeve profesionale dhe dinamikës së përcaktuar, ndërsa opinioni do të informohet me kohë për çdo aktivitet të ardhshëm. E SDSM, me gjasë do të vazhdojë nga çdo tragjedi të përpiqet të mbledhë poena të vegjël, sepse në mënyrë tjetër nuk mund të jetë aktual.
Shëndeti i shkupjanëve është punë tepër serioze për të qenë mjet për poena ditë‑politike. E për Filipçen mos u shqetësoni fare, jahta e Zaevit me gjasë është më e shpejtë se mushkonjat dhe ai është i sigurt”, shtohet në reagimin e kryetarit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
