Gjuriç: Serbia do të vendosë vetë për menaxhimin e burimeve të saj

Nga D. V.
478 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Beograd, 11 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha lidhur me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Përmes një postimi në X, Gjuriç kundërshtoi përfshirjen e Shqipërisë në këtë çështje, duke argumentuar se lumi Ibër nuk kalon në territorin shqiptar.

”Lumi Ibër nuk rrjedh nëpër Shqipëri… Për këtë arsye, Shqipëria nuk ka bazë territoriale apo hidrologjike për të pretenduar një rol në përcaktimin e mënyrës se si Serbia menaxhon burimet ujore brenda territorit të saj, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe detyrimet e saj ndërkombëtare”, shkruan Gjuriç.

Ai e cilëson reagimin e Tiranës si politikisht të motivuar dhe thotë se vëmendja ndaj Ibrit nuk duhet të përdoret për të zhvendosur debatin nga çështjet që Serbia ngre lidhur me komunitetin serb në Kosovë.

”Serbia është një shtet sovran dhe do të vendosë vetë se si t’i menaxhojë burimet e saj natyrore. Shqipëria nuk do t’i marrë këto vendime, as askush tjetër jashtë Serbisë”, thekson ministri serb.

Në reagimin e tij, ai shprehet gjithashtu se nuk ka vend për Shqipëri të Madhe apo për projekte të tjera të bazuara, sipas tij, në ekspansionizëm etnik dhe ndryshim kufijsh në të ardhmen evropiane të rajonit.

”Nevojitet një rajon ku kufijtë gradualisht humbasin fuqinë e tyre për të na ndarë; një rajon i hapur ndaj njerëzve, tregtisë, bashkëpunimit dhe prosperitetit të përbashkët, duke respektuar plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo shteti”, shkruan Gjuriç.

Ai vijon duke iu referuar edhe marrëdhënieve mes Tiranës dhe Beogradit, duke thënë se diplomacia nuk duhet të zhvillohet përmes deklaratave publike, por përmes dialogut dhe bashkëpunimit.

”Do të ishte më e mençur të ulim retorikën dhe të kthehemi te e vetmja rrugë që mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë për rajonin tonë: marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, barazinë sovrane dhe bashkëpunimin e sinqertë”, shprehet ai.

Reagimi i Gjuriçit erdhi pasi ministri Hoxha shprehu shqetësimin e Shqipërisë për deklaratat e presidentit serb lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

”E mirëpres njohjen nga kryeministri Rama se të drejtat dhe siguria e komunitetit serb në Kosovë kanë rëndësi. Tani presim që kjo njohje të shoqërohet me mbështetje praktike duke filluar me një thirrje të qartë për t’i dhënë fund shembjes së shtëpive të serbëve dhe veprimeve të ngjashme nga qeveria e Kurtit, si dhe për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, një detyrim që ende nuk është përmbushur”, shkruan Gjuriç.

”Më lejoni t’i sugjeroj me respekt kryeministrit Rama dhe ministrit Hoxha që, ndonëse interesante, ta lëmë pas diplomacinë përmes altoparlantëve. Dyert dhe linjat tona telefonike mbeten të hapura. Njerëzit tanë meritojnë seriozisht më pak shkëmbime deklaratash dhe më shumë shembuj konkretë se çfarë mund të arrijnë së bashku serbët dhe shqiptarët”, thekson ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër