Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit

Nga D V
802 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 29 korrik, Zhurnal.mk – Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë urdhëruar vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi.

Në vendimin e publikuar më 28 korrik 2026, Paneli i Gjykatës ka bërë të ditur se rishikimi i ardhshëm i paraburgimit të Selimit është caktuar në parim për 28 shtator 2026, përveç nëse ndërkohë publikohet aktgjykimi i çështjes.

Paneli ka vlerësuar se, duke pasur parasysh se seanca për shpalljen e aktgjykimit është planifikuar për 16 shtator 2026, në këtë fazë nuk është e nevojshme që palëve t’u kërkohen parashtresa shtesë lidhur me vazhdimin e masës së paraburgimit.

Në pjesën përfundimtare të vendimit, gjykata ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit ndaj Selimit dhe ka kërkuar nga mbrojtja e tij që të dorëzojë një version publik të njoftimit për rishikimin e paraburgimit ose të kërkojë riklasifikimin e dokumentit deri më 21 gusht 2026.

Rexhep Selimi po gjykohet në Hagë së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, në një proces për akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ky nuk është vendimi i parë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Selimit.

Gjykata edhe më herët ka konstatuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqe të lidhura me pengimin e procedurave gjyqësore, përfshirë ndikimin mbi dëshmitarët. /Telegrafi/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër