Avokati Koci kërkon informacione për zbardhjen e aksidentit tragjik në Shkup ku humbën jetën tre kosovarë

Nga D V
708 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 29 korrik, Zhurnal.mk – Avokati Arianit Koci, i cili përfaqëson familjet Tërnava dhe Shabani, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të siguruar informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e aksidentit tragjik në Shkup, ku humbën jetën tre persona nga Vushtrria.

Ejup Tërnava, Xhenet Tërnava dhe Fatmir Shabani vdiqën pas një aksidenti në një segment të autostradës Shkup–Bllacë, ku vetura e tyre u rrokullis në një pjesë të rrugës që, sipas raportimeve, ishte ende e papërfunduar.

Dyshohet se aksidenti ka ndodhur më 18 korrik, ndërsa automjeti së bashku me trupat e viktimave është gjetur një ditë më pas.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Koci ka kërkuar informacione lidhur me rrethanat e aksidentit, duke ngritur disa pyetje për përgjegjësitë institucionale.

“Kushdo që ka informata lidhur me aksidentin tragjik në segmentin e autostradës Shkup–Bllacë, ku humbën jetën Ejup Tërnava, Xhenet Tërnava dhe Fatmire Shabani, do të më ndihmonte shumë nëse më kontakton me shkrim”, ka shkruar Koci.

Ai ka kërkuar sqarime se kush ka qenë ndërtuesi i segmentit, kush e ka mbikëqyrur ndërtimin dhe kush ka qenë përgjegjës për sigurimin e tij.

Sipas avokatit, segmenti ka qenë zyrtarisht i mbyllur për qarkullim, por hyrja nga e cila automjeti ka hyrë në këtë pjesë të rrugës nuk ka qenë e mbyllur fizikisht në momentin e aksidentit.

Koci ka ngritur pyetje edhe lidhur me masat e sigurisë në hyrjet e këtij segmenti, duke kërkuar të sqarohet nëse hyrja ka qenë e mbyllur më herët, kur ka ndryshuar kjo gjendje dhe kush ka urdhëruar mbylljen fizike pas aksidentit.

Ai ka bërë apel që kushdo që posedon fotografi, video, dokumente apo informacione të tjera relevante për rastin, t’i dërgojë ato me shkrim, duke theksuar se të gjitha të dhënat do t’u përcillen organeve të drejtësisë. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër