Shkup, 10 shtator Zhurnal.mk – Ish-funksionari Trajan Gocevski ka hedhur pretendimin se vdekja e presidentit Boris Trajkovski në aksidentin ajror në vitin 2004 nuk ka qenë aksident, por atentat.
“Boris Trajkovskit iu bë atentat”, tha Gocevski për 4TV, duke theksuar se, sipas tij, rasti duhet të shqyrtohet në kontekstin e krizave politike dhe të sigurisë në Maqedoni në vitet 1999 dhe 2001, raportoi 4news.mk.
Ai vlerëson se ekzistojnë disa rrethana të cilat, siç thotë, ngrenë dyshime për një lidhje të mundshme të aksidentit me ngjarjet e asaj periudhe.
Gocevski iu referua edhe çështjeve që lidhen me hetimin e rrëzimit të avionit me të cilin udhëtonte Trajkovski. Sipas tij, në rast ishin angazhuar navigatorë dhe oficerë të huaj, por roli i tyre i mëtejshëm në hetim, siç pretendon ai, nuk ishte sqaruar mjaftueshëm.
“Ka shumë gjëra që mbetën të pasqaruara dhe ne si shtet nuk arritëm të insistojmë që ato të zbardhen. Kjo është e rëndësishme për familjet e tyre, por edhe për ne si shtet”, deklaroi ai.
Gocevski mendon se në Maqedoni ekzistojnë edhe raste të tjera të personave të vrarë dhe ngjarjeve të pazbardhura të cilave, sipas tij, institucionet nuk u kanë kushtuar vëmendje të mjaftueshme.
Në këtë kontekst, ai iu referua edhe rasteve historike të dhunës politike dhe atentateve ndaj veprimtarëve maqedonas në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, për të cilat, siç theksoi, ekzistojnë hulumtime dhe materiale të publikuara në Bullgari.
Sipas Gocevskit, institucionet maqedonase duhet t’u qasen më seriozisht hetimit të rasteve të tilla.
“Besoj se tre dekada e gjysmë janë një periudhë e mjaftueshme” për zbardhjen e këtyre çështjeve, përfundoi Gocevski.
