Gogu takim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë: Bashkëpunimi, kusht për funksionimin e sistemit të drejtësisë

Nga D. V.
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 22 qershor, Zhurnal.mk –  Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu zhvilloi sot takimin e parë me kryesinë e re të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit institucional dhe zbatimi i angazhimeve të reja në fushën e drejtësisë.

Gogu theksoi se takimi vjen pas nënshkrimit nga Shqipëria të Konventës së Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, një instrument që synon të forcojë garancitë për ushtrimin e lirë dhe të pavarur të profesionit të avokatit.

Sipas ministrit, avokatura e pavarur është një element thelbësor i shtetit të së drejtës dhe një garanci për qytetarët që kërkojnë mbrojtje, përfaqësim dhe akses në drejtësi.

“Avokatura e pavarur nuk është privilegj i një profesioni. Ajo është pjesë e arkitekturës së shtetit të së drejtës dhe garanci konkrete për çdo qytetar që kërkon mbrojtje, përfaqësim dhe akses në drejtësi. Kur avokati punon i lirë, fiton qytetari, jo profesioni”, shkruan Gogu.

Gjatë takimit, sipas Gogut u diskutua mbi hapat e ardhshëm për zbatimin e Konventës, forcimin e ndihmës juridike falas dhe bashkëpunimin në kuadër të reformës në drejtësi.

“Diskutuam hapat e ardhshëm: zbatimin e Konventës, forcimin e ndihmës juridike falas dhe bashkëpunimin konkret në kuadrin e reformës së drejtësisë. Dakordësuam një grup pune të përbashkët me mandat dhe afat të qartë. Bashkëpunimi midis Ministrisë dhe Dhomës nuk është mirësjelle institucionale, është kusht i funksionimit të sistemit të drejtësisë”, theksoi Gogu.

artikuj të ndërlidhura